Trump e godet Turqinë me sanksione, bën thirrje për armëpushim

08:47 | 15 Tetor 2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur sanksione mbi Turqinë për shkak të operacionit ushtarak të Ankarasë në verilindje të Sirisë.

Trump gjithashtu bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, transmeton portali arbresh.info.

Turqia nisi një sulm ndër-kufitar mbi luftëtarët kurdë të mërkurën e shkuar, pasi Trump tërhoqi disa ushtarë nga rajoni, duke shkaktuar kritika nga kolegët e tij Republikanë që e akuzuan se braktisi aleatët e tyre me të cilët luftuan kundër Shtetit Islamik (ISIS).

Trump tha se ai do të dërgojë në Ankara Zëvendës Presidentin Mike Pence dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O’Brien në një përpjekje për të filluar negociatat.

Pence tha që Trump kishte folur drejtpërdrejt me presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, i cili premtoi se nuk do të sulmonte qytetin kufitar të Kobanit.

“Presidenti Trump i komunikoi atij shumë qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Turqia të ndalojë pushtimin, të zbatojë një armëpushim të menjëhershëm dhe të fillojë të negociojë me forcat kurde në Siri për t’i dhënë fund dhunës”, tha Pence.

Sanksionet zbatohen për individë, subjekte ose bashkëpunëtorë të qeverisë turke të përfshirë në “veprime që rrezikojnë civilët ose çojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në verilindje të Sirisë”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara