Trump dhe Biden përplasen për ndryshimet klimatike dhe zjarret

09:27 | 15 Shtator 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij demokrat në zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, i përqendruan fushatat e tyre në zjarret vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor të SHBA-së, duke shprehur pikëpamje krejt të kundërta për ndryshimet klimatike.

Trump, i cili shkoi në Sakramento të Kalifornisë për t’u informuar nga afër në lidhje me zjarret, e hodhi poshtë idenë se ndryshimet klimatike janë arsyeja kryesore e tyre. Koha “do të fillojë të bëhet më e freskët”, tha Trump.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për media, ku një zyrtar lokal tha se menaxhimi i pyjeve është një çështje e veçantë, por shtoi se ndryshimet e klimës janë problemi themelor, që nuk mund të injorohet.

“Do të fillojë të bëhet më freskët. Ju, thjesht, shikoni”, i tha Trump kreut të Agjencisë së Burimeve Natyrore të Kalifornisë, Wade Crowfoot.

“Do të doja që shkenca të pajtohet me ju”, tha në anën tjetër Crowfoot.

“Në fakt, nuk mendoj se shkenca e di”, këmbënguli Trump.

Trump ka fajësuar vazhdimisht menaxhimin e dobët të pyjeve për zjarret dhe ka minimizuar ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga njerëzit.

Duke folur në Dellauer, Biden e quajti Trumpin “zjarrvënës të klimës” dhe tha se politikat e tij e kanë minuar mbrojtjen e klimës, mjedisin dhe sigurinë e amerikanëve.

“Nëse i jepni zjarrvënësit të klimës edhe katër vjet në Shtëpinë e Bardhë, përse dikush do të habitej nëse kemi më shumë Amerikë në flakë”, pyeti Biden.

“Ne kemi nevojë për një president që e respekton shkencën, që e kupton se dëmi nga ndryshimi i klimës tashmë ekziston”, tha Biden.

“Është e qartë që ne nuk jemi të sigurt në Amerikën e Donald Trumpit. Kjo është një krizë tjetër, për të cilën ai nuk do të marrë përgjegjësi”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara