Sulmet ajrore të regjimit vrasin një fëmijë në Idlib

15:32 | 15 Dhjetor 2019

Sulmet kishin në shënjestër qytezën Maarsurin në provincën e Idlibit.

Avionët luftarakë të regjimit sirian sulmuan një qytezë në veriperëndim të Sirisë të dielën, duke vrarë një fëmijë dhe duke plagosur shtatë të rritur, njoftoi agjencia e mbrojtjes civile e opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët luftarakë goditën një furrë buke në qytezën Maarsurin në provincën Idlib, e cila bie brenda zonës së deskalimit, ku aktet e agresionit janë të ndaluara shprehimisht, tha mbrojtja civile, e njohur si Helmetat e Bardha.

Avionët e regjimit kryen një sulm tjetër në qytezë, duke vrarë një fëmijë dhe duke plagosur shtatë persona.

Më 7 dhjetor, regjimi i Bashar al-Asadit dhe aleati i tij Rusia goditën një treg në Idlib, duke lënë 19 persona të vdekur.

Që nga arritja e marrëveshjes për ndërprerjen e luftimeve në zonën e deeskalimit mes Moskës dhe Ankarasë në shtator të vitit 2018, mbi 1.300 civilë janë vrarë në zonën e deskalimit të Idlibit.

Mbi një milion sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk pas sulmeve intensive.

Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar mbi 3,6 milion sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më së shumti refugjat të strehuar në botë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara