Sudani në prag të një konflikti të brendshëm

16:24 | 14 Prill 2019

Ushtria e Sudanit duket se nuk do ta ketë të lehtë udhëheqjen e vendit pasi rrëzoi nga pushteti dhe e arrestoi presidentin Omar al-Bashir.

Kjo pasi turma të mëdha të njerëzve kanë vërshuar rrugët e kryeqytetit gjatë natës duke injoruar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga ushtria.

Protestuesit thonë se Këshilli ushtarak që mori pushtetin janë pjesë e të njëjtit regjim.

Të enjten pas disa muajsh protesta të qytetarëve, presidenti Omar al-Bashir u rrëzua nga pushteti dhe u arrestua nga ana e ushtrisë.

Ekziston gjithashtu një rrezik real që elementë të ndryshëm të forcave të sigurisë dhe të milicisë mund të kthejnë armët e tyre kundër njëri-tjetrit, raporton BBC.

Të premten, Sudani do të rihapë hapësirën ajrore, pas një pezullimi prej 24 orësh, por kufijtë tokësorë dhe detarë do të mbeten të mbyllur, tha përmes një njoftimi, Këshilli ushtarak.

“Forcat e armatosura dhe Këshilli Ushtarak do të kryejnë detyrën e tyre për të ruajtur paqen dhe sigurinë dhe për të mbrojtur jeten e qytetarëve”, u tha në njoftim.

Cilat janë kërkesat e protestuesve?

Atmosfera e kremtimit për rrëzimin e regjimit 30 vjeçar tëpresidentit Omar al-Bashir u zhduk kur organizatorët kërkuan që protestuesit të mblidhen para selisë së Këshillit Ushtarak që mori pushtetin në Sudan.

“Kjo është një vazhdimësi e të njëjtit regjim”, tha Sara Abdeljalil nga Shoqata e profesionistëve sudanez (SPA). “Pra, ajo që duhet të bëjmë është të vazhdojmë luftën dhe rezistencën paqësore”, tha ajo.

Kjo organizatë ka thënë më parë se çdo administratë kalimtare nuk duhet të përfshijë askënd nga “regjimi tiranik”.

Turmat tundnin flamuj dhe thërrisnin “Largohu, përsëri!” – duke riformuar sloganin e tyre të mëparshëm anti-Bashir “Largohu, kjo është e gjitha!”.

Si u rrëzua regjimi i presidentit Omar al-Bashir ?

Të enjten, ministri sudanez i Mbrojtjes, Awad Ibn Ouf përmes një fjalimi në televizionin shtetëror njoftoi se regjimi i presidentit Omar al-Bashir ka marrë fund dhe se ai është arrestuar nga ana e ushtrisë.

Z. Ibn Ouf tha se vendi kishte vuajtur nga “menaxhimi i dobët, korrupsioni dhe mungesa e drejtësisë” dhe kërkoi falje për “vrasjet dhe dhunën që ka ndodhur”.

Ministri tha se ushtria do të jetë mbikqyrëse për një periudhë dyvjeçare tranzitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ai shpalli gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë tremujore.

Protestat kundër Z. Bashir, i cili ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989, kanë filluar prej disa muajsh.

Presidenti sudanez është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila e akuzon atë për organizimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin e Darfurit në Sudan./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara