“Stuhia pranverore” paralizon fluturimet dhe udhëtimet në SHBA

21:36 | 15 Prill 2018

Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa autostradat janë mbuluar nga akulli në disa shtete amerikane, teksa një stuhi vdekjeprurëse ka goditur pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, nga brigjet e Gjirit të Meksikës e deri në liqenet veriore, duke sjellë dëborë, erëra të forta, reshje shiu dhe breshëri.

Në Aeroportin ndërkombëtar “St. Paul” të Minneapolisit avionët kanë qëndruar në tokë, pasi stuhia pranverore e borës e bëri tejet të vështirë mbajtjen pastër të pistës, ndërsa avionët ishin të mbuluar nga shtresa akulli e bore. Afro 470 fluturime u anuluan, përpara se njëra prej pistave të hapej për pak kohë pas orës 22 të mbrëmjes, tha një zëdhënës i aeroportit.

Edhe ndeshja mes Minnesota Twins dhe Chicago White Sox, e parashikuar mbrëmjen e së shtunës, u shty për të dytën herë këtë të dielë për shkak të dëborës që mbërriti në mbi 33 centimetra, sikurse edhe sfida mes Yankees dhe Tigers në Detroit.

Autoritetet mbyllën disa autostrada në jugperëndim të Minnesotës, ku u këshillua të mos lëvizej, ndërsa kushtet për drejtim automjeti u bënë tejet të vështira edhe në pjesën jugore të shtetit.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi mbi 51 cm dëborë në pjesën jugore të këtij shteti, përfshi Minneapolisin dhe St. Paulin, gjatë kësaj të diele. Moti pritet të vijojë i tillë edhe gjatë së dielës në Minnesota, Wisconsin, Michigan, përpara se stuhia t’u drejtohet shteteve New York dhe New England./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale