Sot fillon konferenca dyjavore për klimën në Madrid

09:55 | 2 Dhjetor 2019

Liderët politikë dhe diplomatët për mbrojtjen e klimës do të takohen për dy javë rresht në Madrid për të biseduar rreth ndryshimeve klimatike në kohën kur kriza mjedisore po vazhdon të përhapet.

Sipas organizatës “Save the Children”, ndryshimet klimatike kanë ndikuar që miliona njerëz në Afrikë të përballen me urinë.

Organizata bamirëse thotë se 33 milionë njerëz ndodhen në nivel emergjent të pasigurisë së ushqimit për shkak të cikloneve dhe thatësirave.

Kjo konferencë ishte planifikuar fillimisht të mbahej në Kili të Amerikës Jugore, po ishte anuluar nga qeveria e këtij shteti për shkak të protestave të vazhdueshme që kishin shpërthyer atje.

Më pas, Spanja bëri ofertë për ta organizuar këtë konferencë, në të cilën për dy javë do të marrin pjesë plot 29 mijë zyrtarë nga shumë vende të ndryshme të botës.

Duke folur para fillimit të konferencës, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se kriza klimatike kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe se liderët politikë duhet t’i përgjigjen asaj.

“Dymbëdhjetë muajt e ardhshëm janë jetikë. Është shumë e rëndësishme që të sigurojmë më shumë zotime ambicioze të kombeve, sidomos nga ndotësit kryesorë, në mënyrë që menjëherë të fillojë zvogëlimi i lirimit të gazrave dhe të arrihet neutralizimi i karbonit deri në vitin 2050”, tha Guterres.

Ndryshe, shumica e shteteve të botës e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit për Klimën, e cila përmban zotime për luftimin e ndryshimeve klimatike, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara