Shtëpia e Bardhë paralajmëron ashpër regjimin e Assad’it

13:38 | 11 Prill 2017

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka paralajmëruar regjimin e Bashar al Asadit në lidhje me përdorimin e armëve kimike, duke thënë se “Në qoftë se sulmon foshnjet me armë kimike dhe nëse përdor bomba fuçi ndaj njerëzve të pafajshëm, atëherë do të marrësh përgjigje nga ky president (Donald Trump)”, raporton (AA), transmeton Arbresh.info

Duke folur në konferencën ditore për mediat në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me sulmin ndaj regjimit të Asadit, Spicer tha se presidenti amerikan Donald Trump ka bërë zgjedhje të duhur dhe të vetëdijshme me marrjen e vendimit për sulmin raketor ndaj regjimit.

Nuk mund të imagjinojmë një Siri stabile dhe të sigurtë nën qeverisjen e Asadit

Më tej, Spencer ka thënë se prioritet i tyre në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë organizata terroriste DEASH, duke përsëritur se sërish nuk do të ngelin të heshtur në qoftë se regjimi i Asadit vret foshnje me armë kimike.

“Prioriteti kryesor i SHBA-ve në Lindjen e Mesme është DEASH-i. Megjithatë, nuk mund të imagjinojmë një Siri stabile dhe të sigurtë nën qeverisjen e Asadit”, theksoi ai.

Spencer vuri në dukje se janë duke i motivuar liderët ndërkombëtarë që të punojnë së bashku për t’i parandaluar këto sulme kimike, duke sugjeruar se për ndryshimin e regjimit mund të përdorin edhe presionin politik, ekonomik dhe diplomatik.

I pyetur nëse aktet e Asadit përbëjnë krime lufte, Spicer u shpreh se vetëm gjykatat relevante mund të vendosin nëse këto akte janë krime lufte ose jo.

Ai po ashtu e cilësoi si “mjaft të suksesshëm” sulmin ndaj bazës ajrore Shajrat, duke shtuar se është asgjësuar 20 për qind e kapacitetit ajror të Sirisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara