Shtëpia e Bardhë e refuzon bashkëpunimin me Kongresin për hetimet ndaj presidentit

08:50 | 9 Tetor 2019

Presidenti amerikan, Donald Trump, i shtyu Shtetet e Bashkuara drejt një krize kushtetuese të martën pasi këshilltari i tij ligjor tha se Shtëpia e Bardhë do ta refuzojë bashkëpunimin me Kongresin lidhur me kërkesën për hetimin e kreut të shtetit.

“Duke pasur parasysh që kërkesa juaj për hetime nuk ka ndonjë themel legjitim kushtetues, sjellje të drejtësisë apo ndonjë element themelor për mbrojtje të procesit, nuk mund të pritet që Ekzekutivi të marrë pjesë në të”, tha këshilltari Pat Cipollone në një letër dërguar liderëve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Letra me tetë faqe erdhi pasi administrate e presidentit Trump papritmas e bllokoi dhënien e dëshmisë së një dëshmitari vullnetar për skandalin e Ukrainës para komisionit të kongresit. Ky vendim pritet ta sjellë një përplasje të re mes Shtëpisë së Bardhe dhe Kongresit gjatë javëve në vijim.

Kërkesa për hetime kundër presidentit është nisur nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, muajin e kaluar pasi u zbulua se kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar nga homologu i tij ukrainas që ta hetojë rivalin politik, Joe Biden.

Letra e këshilltarit të presidentit e vë në rrezik bashkëpunimit mes organeve legjislative dhe ekzekutive të Shteteve të Bashkuara në çështje të rëndësishme, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara