Shefi i OKB-së i shqetësuar për kufizimet në Kashmir

11:00 | 9 Gusht 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, është i shqetësuar për kufizimet në rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga India, tha zëdhënësi i tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha se shefi i OKB-së u bën thirrje të gjitha palëve që të mos ndërmarrin hapa që mund të ndikojnë në statusin e rajonit Xhamu dhe Kashmir. Ai theksoi se qëndrimi i OKB-së për Xhamu dhe Kashmirit drejtohet nga statusi i rajonit dhe rezolutat e njëpasnjëshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Sekretari i Përgjithshëm e ka ndjekur me shqetësim situatën në Xhamu dhe Kashmir dhe apelon për përmbajtje maksimale”, tha Dujarric.

E udhëhequr nga kryeministri indian, Narendra Modi, partia nacionaliste hindu në pushtet ‘Bharatiya Janata’ në një veprim tronditës rrëzoi nenin 370, i cili i mundësonte rajonit nivele të rëndësishme të autonomisë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar disa rezoluta që kërkojnë të drejtën e rajonit me shumicë myslimane për vetëvendosje në marrjen e vendimeve për të ardhmen politike të rajonit. Kashmiri është kontestuar nga India, Pakistani dhe Kina që nga viti 1947.

Xhamu dhe Kashmir, një rajon i Himalajeve, mbahet në pjesë të ndara nga India dhe Pakistani dhe pretendohet e plotë nga të dyja.

Të enjten, Pakistani pezulloi disa shërbime të trenit për në Indi në mes të përshkallëzimit të tensioneve midis dy fqinjeve të armatosur bërthamorë, pasi New Delhi tërhoqi statusin e veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

Masa erdhi një ditë pasi Pakistani njoftoi një degradim në lidhjet e saj diplomatike me Indinë dhe dëboi një të dërguar të lartë indian.

Xhamu dhe Kashmir i administruar nga India gëzonte status të veçantë për të miratuar ligjet e veta sipas nenit 370. Statusi po ashtu mbronte ligjin e shtetësisë që nuk i lejonte të huajt të vendosen dhe të zotërojnë tokë në territor për të mbrojtur karakterin demografik të rajonit.

Duke revokuar këtë ligj të hënën, qeveria indiane shkaktoi frikë në rajonin me shumicën myslimane se demografia e rajonit do të ndryshojë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara