SHBA: Irani shkeli premtimin për të mos shitur naftë në Siri

09:01 | 13 Shtator 2019

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin për shkelje të “premtimeve” pasi anija transportuese Adrian Darya 1 supozohet se ka dërguar naftë në Siri, pavarësisht deklaratave se do të ndodhë e kundërta, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

E emëruar më parë, Grace 1, kjo anije është mbajtur për gjashtë muaj në ujërat e territorit britanik në Ngushticën e Gjibraltarit, derisa autoritetet kanë pranuar garanci me shkrim nga Irani se nuk do të dërgojë anijen në Siri sepse përbën shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

“Kjo hyn në listën e gënjeshtrave të bëra nga regjimi iranian për 40 vjet”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus para gazetarëve në Uashington.

“Mashtrimet dhe shkeljet e premtimeve nuk janë bërë vetëm ndaj komunitetit ndërkombëtar, mirëpo edhe ndaj popullit iranian gjithashtu. Pavarësisht premtimeve revolucionare për një shoqëri më të mirë, banditët në Teheran kanë shtypur vazhdimisht gratë, minoritetet dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Kur është pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna se transportuesja, Adrian Darya 1 ka transferuar naftë në Siri, Ortagus ka thënë: Nuk e kisha thënë këtë nëse nuk do të kishim pasur.

Më 10 shtator, Britania po ashtu ka akuzuar Iranin për shkelje të premtimit.

I dërguari i Iranit në Britani, Hamid Baeidinejad, është thirrur për intervistim nga Ministria e Jashtme britanike. Ai ka mohuar se Teherani ka shkelur premtimet që ka dhënë duke thënë se një kompani private ka blerë këtë anije.

Blerësi privat e “cakton vendin e shitjes”, është cituar të ketë thënë Baeidinejad.

Më 9 shtator, ministria e Jashtme e Iranit ka thënë vetëm se anija, Adrian Darya 1 ka dërguar naftë të papërpunuar në një lokacion të pazbuluar.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015 dhe nga ajo kohë ka rikthyer sanksionet ndaj Iranit duke i goditur sektorin bankar dhe atë të naftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara