SHBA heq përcaktimin “i pushtuar nga Izraeli” për Lartësirat e Golanit

22:47 | 13 Mars 2019

Departamenti i Shtetit ka hequr përcaktimin e Lartësirave të Golanit si “të pushtuara nga Izraeli”, për të zëvendësuar përcaktimin e rajonit të kontestuar si “territor i kontrolluar nga Izraeli”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndryshimi haset në raportin vjetor të departamentit për të drejtat e njeriut dhe është në kundërshtim jo vetëm me të kuptuarin ndërkombëtar të territorit të okupuar sirian, por edhe me qartësimet e përmbajtura në raportin e administratës Trump të vitit 2017.

Të pyetur rreth ndryshimit, zyrtarët e lartë për të drejtat e njeriut në kuadër të departamentit thonë se ai nuk sinjalizon ndryshim të politikës dhe se thekson vetëm raportet që fokusohen në të drejtat e njeriut, andaj nuk koncentrohet në çështjet ligjore.

Megjithatë, ndryshimi vjen në një moment kur në kongres ka vullnet për të pranuar Lartësirat e Golanit si territor izraelit.

Senatorët Marco Rubio, Ted Cruz, Tom Cotton dhe kongresmeni Mike Gallagher në fund të muajit shkurt kanë prezantuar legjislacionin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në senatin amerikan sipas të cilit kërkohet njohja e sovranitetit izraelit mbi Golan-in e okupuar.

Projektligji i republikanëve ka shtatë mbështetës në Senat dhe 23 mbështetës në Dhomën e Përfaqësuesve. Që të gjithë janë përfaqësues republikanë.

Të dy projektligjet u janë dorëzuar komiteteve përkatëse për punë të jashtme.

Izraeli ka okupuar Lartësirat e Golanit pas luftës gjashtëditore të vitit 1967 dhe ka tentuar që formalisht ta aneksojë territorin në vitin 1981, tentim i cili në atë kohë me votë unanime u refuzua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB).

Rezoluta numër 497 nga Këshilli i OKB-së thotë se “vendimi izraelit për të imponuar ligjet, juridiksionin dhe administrimin e tij në territorin e okupuar sirian të Lartësirave të Golanit është i pavlefshëm dhe pa efekt ligjor ndërkombëtar”. Më tej, në rezolutë i kërkohet Izraelit që të shfuqizojë vendimin e tij.

Mirëpo, senatori Lindsey Graham, i cili është njëri nga mbështetësit e projektligjit në Senat, duke shëtitur në Lartësirat e pushtuara të Golanit, së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do të filloj punimet që Golani të njihet si pjesë e Izraelit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara