SHBA dhe Koreja e Jugut ndërpresin bisedimet për shpenzimet e mbrojtjes

17:59 | 19 Nëntor 2019

SHBA-të dhe Koreja e Jugut kanë ndërprerë bisedimet e zhvilluara për ndarjen e shpenzimeve të mbrojtjes për forcat e armatosura amerikane që janë të vendosura në Gadishullin Korean, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë koreano-jugore, Yonhap, mësohet se bisedimet e filluara dje në kryeqytetin koreano-jugor Seul u ndërprenë për shkak se të njëjtat u braktisën nga delegacioni amerikan.

Kryekëshilltari i bisedimeve dhe marrëveshjeve të sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, James DeHart, i cili kryeson delegacionin deklaroi se, “Fatkeqësisht propozimet e delegacionit korean nuk ishin në cilësinë për t‘iu përgjigjur kërkesave tona për ndarje të barabartë dhe të drejtë”.

Ai tha se dëshirojnë të vazhdojnë bisedimet dhe shpresojnë se pala e Koresë së Jugut do të ofrojë një propozim më të përshtatshëm për ndarjen e shpenzimeve.

Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Koresë së jugut, Jeong Eun-bo, tha se ka ndryshime mes propozimeve të palëve. Ai shtoi se bisedimet janë ndërprerë për shkak se pala amerikane i braktisi ato.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut thuhet se, “SHBA dëshiron të ndryshojë dukshëm ndarjen e shpenzimeve të mbrojtjes duke shtuar një nen në Marrëveshjen e Masave Speciale nga viti 1991. Ne mendojmë se rritja e shpenzimeve duhet të jetë në masën që Koreja e Jugut dhe SHBA janë dakorduar në kuadër të Marrëveshjes së Masave Speciale të nënshkruar 28 vite më parë”.

Pretendohet se pala amerikane në bisedime i ka propozuar qeverisë së Seulit që të rrisë 5 herë pjesën e saj lidhur me shpenzimet e mbrojtjes.

Në Korenë e Jugut aktualisht ndodhen 28.500 ushtarë amerikanë nën Komandën e Forcave Amerikane në Kore (USKF).

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara