Senati amerikan refuzon projekt-ligjin kundër lëvizjes pro-palestineze

15:27 | 9 Janar 2019

Senatorët demokratë në SHBA kanë hedhur poshtë projekt-ligjin që do t’u jepte mjet të ri sulmi mbështetësve të Izraelit kundër lëvizjes pro-palestineze “Bojkotim, Izolim, Sanksione” (BDS), transmeton Anadolu Agency (AA).

Projekt-ligji u refuzua me 56 kundrejt 44 votave, më pak se pragu i 60 votave në Senat, me të gjithë votat e demokratëve duke përjashtuar katër prej tyre.

Ky projekt-ligj do të kishte lejuar qeverinë shtetërore dhe lokale të refuzojnë të merren me bizneset që “angazhohen në sjelljen e BDS-së”. Mbështetësit e BDS-së e shohin lëvizjen gjithnjë e më popullore si një mjet për të kundërshtuar shtypjen e Izraelit ndaj popullit palestinez, por projekt-ligji do të ishte një armë kundër saj.

Votimi erdhi mes tensioneve në rritje midis republikanëve dhe demokratëve mbi financimin e një muri në kufirin me Meksikën të kërkuar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Sipas faqes së saj zyrtare, Lëvizja BDS punon për t’i dhënë fund mbështetjes ndërkombëtare për shtypjen e palestinezëve nga Izraeli dhe për t’i bërë presion Izraelit për t’u pajtuar me të drejtën ndërkombëtare.

Progresistët dhe liberalët në të gjithë SHBA-të, përfshirë grupet e të drejtave civile si Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU), kanë kundërshtuar ashpër projekt-ligjin, duke thënë se ai shkel të drejtën e fjalës së lirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara