Rusia akuzon SHBA-të dhe Britaninë për destabilizimin e Venezuelës

12:38 | 16 Gusht 2019

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se Uashingtoni injoroi thirrjet e Moskës për të hequr sanksionet ndaj sektorëve të rëndësishëm për mirëqenien sociale të Venezuelës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve në Orenburg, Zakharova tha se Rusia synon të përmirësojë gjendjen humanitare në vend. Ajo po ashtu akuzoi Britaninë për përgatitjen e disa dhjetëra sabotatorëve në një bazë në Guyana-n fqinje për “destabilizimin e mëtejshëm të situatës” në Venezuelë.

“Ata (Britania) po përfundojnë ndërtimin e një baze ushtarake në një prej ishujve në grykën e lumit Esgmentibo (Guyana), nën pretekstin e shtypjes së kontrabandës së armëve dhe drogës”, tha Zakharova.

Ajo shtoi se po synohet një fushatë për të diskredituar Venezuelën, me qëllimin për ta portretizuar vendin si një kërcënim të madh të drogës në rajon.

Më tej, Zakharova theksoi se akuzat kundër Venezuelës nuk ishin të vlefshme pasi ato kundërshtonin raportet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Britanisë, në të cilat vende të tjera identifikohen si “furnizues kyç të drogës në hemisferën perëndimore”.

Që nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë, Venezuela është tronditur nga trazirat politike. Tensioni u përshkallëzua në 23 janar kur anëtari i parlamentit Juan Guaido deklaroi veten president të përkohshëm.

Rusia, Kina dhe Irani kanë shprehur mbështetjen e tyre për Maduro-n, ashtu si edhe Turqia.

Spanja, Britania, Franca, Suedia, Gjermania, Japonia dhe Danimarka u bashkuan me SHBA-të dhe Kanadanë në njohjen e Guaido-s si udhëheqës të përkohshëm të Venezuelës.

Çështja siriane

Zakharova foli edhe rreth zhvillimeve në Siri, duke theksuar se Moska është optimiste për fillimin e një komiteti kushtetues sirian.

“Ne besojmë se të gjitha kushtet janë aktualisht të pranishme për thirrjen e komitetit kushtetues”, tha ajo, duke shtuar se Rusia do të vazhdojë të ndihmojë të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, në përfundimin e formimit të komitetit.

Zakharova vuri në dukje se përpjekjet për të mbyllur kampin e refugjatëve Al-Rukban janë në vazhdim, duke shtuar se kjo mund të arrihet deri në fund të muajit gusht.

Situata në kampin tjetër të refugjatëve “problematikë”, Al Hol, nuk “demonstroi ndonjë dinamikë pozitive”, tha ajo.

Siria është zhytur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Që atëherë, sipas zyrtarëve të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë shpërngulur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara