Restaurimi i “Big Ben” vijon prej tri vitesh, kostoja rreth 80 milionë dollarë

15:14 | 13 Shkurt 2020

Dëmet nga luftërat dhe koha në Orën simbol të Londrës kanë rritur faturën e restaurimit të saj ndërsa vitin e ardhshëm pritet finalizimi i procesit.

Kulla simbol e Sahatit në Londër po restaurohet prej tre vjetësh, por dëmtimet në strukturë duken me serioze sesa ishin menduar.

Të enjten, fatura e rindërtimit u rrit me 25 milionë dollarë pasi specialistët zbuluan mbetje asbesti, papastërti toksike dhe pasojat e vërteta të bombardimeve naziste të vitit 1941, kur një sulm nga ajri do të rrënonte godinën kryesore të parlamentit, ku është e vendosur edhe ora e njohur si Big Ben.

Edhe pse vepra infrastrukturore i mbijetoi goditjes, çatia dhe akrepat e saj mbetën të dëmtuara.

E ndërtuar 177 vite më parë, kulla që mban emrin e mbretëreshës Elizabeta ka një gjatësi prej 96 metrash.

Ajo qëndron pjesërisht e mbuluar ndërsa kambana e saj 13 tonë e rëndë nuk tingëllon prej vitesh.

Procesi i restaurimit ka përfshirë specialistë të mjeshtërive të ndryshme tradicionale, nga punuesit e gurit te prerësit e xhamave dhe orëndreqësit.

Rikthimi në identitet pritet të përfundojë vitin e ardhshëm dhe është pjesë e një projekti më të gjerë që do i kushtojë vendit rreth 4 miliardë dollarë, ku planifikohet të rinovohet plotësisht edhe godina aktuale e parlamentit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara