Republikanët kundër pensioneve

12:53 | 18 Gusht 2015

Nga: Paul Krugman/ The New York Times

Diçka e çuditshme po ndodh me primaret republikane – diçka e çuditshme përveç fenomenit Trump. Për disa arsye, thuajse të gjithë kandidatët kryesorë si dhe vetë Donaldi kanë mbajtur një qëndrim tejet jopopullor, që dihet se sjell kosto politike, për çështjen e një politike madhore. Dhe është interesante të pyesim përse.

Çështja në fjalë është e ardhmja e Sigurimit Shoqëror, që mbushi 80 vjet javën e kaluar. Programi i pensioneve është, sigurisht, si tejet popullor ashtu edhe një objektiv prej shumë kohësh i shënjestruar nga konservatorët, të cilët duan ta shkatërrojnë pikërisht sepse popullariteti i tij ndihmon legjitimimin e ndërhyrjes së qeverisë në përgjithësi. Sikurse deklaroi aktivisti i djathtë Stephen Moore (tani kreu ekonomist i Heritage Foundation) një herë, Sigurimi Shoqëror është “barku i butë i shtetit social”; “nguleni shtizën tuaj në të” dhe mund ta zhbëni të gjithin.

Por kjo ndodhi përpara një dekade, gjatë përpjekjes së ish-presidentit George W. Bush për ta privatizuar programin – dhe ajo që mësoi Z. Bush qe se barku nuk qe edhe aq i butë. Pavarësisht suksesit politik që erdhi nga fitorja e republikanëve në zgjedhjet e 2004, pavarësisht mbështetjes nga shumica e industrisë së medieve, sulmi ndaj Sigurimeve Shoqërore shpejt u rrëzua dhe u dogj. Doli se votuesit i pëlqejnë Sigurimet Shoqërore dhe nuk duan që të shkurtohen.

Është për t’u përmendur se shumica e republikanëve që duan të bëhen presidentë duket se po përvijohen për një tjetër raund ndëshkimi. Veçanërisht ata kanë deklaruar se mosha e pensionit – e cila është çuar nga 65 në 66 dhe është parashikuar të rritet deri në 67 – duhet të shkojë edhe më tutje.

Kështu që, Jeb Bush thotë se mosha e pensionit duhet të shtyhet deri në “68 ose 70”. Scott Walker i ka bërë jehonë këtij qëndrimi. Marco Rubio dëshiron ta rrisë moshën e pensionit dhe t’i shkurtojë përfitimet për të moshuarit me të ardhura të larta. Rand Paul kërkon ta çojë në 70 moshën e pensionit dhe synon që përfitimet të varen nga disa teste. Ted Cruz dëshiron të ringjallë planin e privatizimit të Bushit.

Është për t’u shënuar se këto propozime do të ishin vërtet një politikë e keqe publike – një goditje e rëndë ndaj amerikanëve që vijnë nga mesi e poshtë për sa i takon shpërndarjes të të ardhurave, të cilët varen nga Sigurimet Shoqërore, që shpesh kanë punëra që përfshijnë punën manuale, dhe që nuk kanë parë në fakt një rritje të madhe në pritshmërinë e jetës. Ndërkohë, rënia e pensioneve private i ka bërë punëtorët amerikanë më të varur se kurrë nga Sigurimet Shoqërore.

Dhe jo, Sigurimet Shoqërore nuk po përballen me ndonjë krizë financiare; deficiti i financimit të tyre afatgjatë mund të mbyllet lehtësisht me rritje modeste të ardhurash.

Sidoqoftë, askush nuk duhet të habitet nga spektakli i politikanëve që paraqesin me entuziazëm politika shkatërruese. Ajo që është e habitshme lidhur me sulmin e ripërsëritur të Republikanëve ndaj Sigurimeve Shoqërore është se ai duket si një politikë e keqe. Amerikanët i duan Sigurimet Shoqërore, kështu që përse kandidatët nuk bëjnë të paktën sikur e përkrahin këtë ndjenjë?

Përgjigja që unë do të jepja është se bëhet gjithçka për paratë e mëdha.

Individët e pasur kanë kohë që luajnë një rol mbizotërues në politikë, por nuk e kemi parë kurrë atë që po ndodh tani: zotërimin e financave të fushatës, sidomos në kampin Republikan, nga një grup i vogël donatorësh tejet të pasur. Në të vërtetë, më shumë se gjysma e fondeve të grumbulluara nga kandidatët Republikanë që nga qershori vjen vetëm nga 130 familje.

Dhe teksa shumica e amerikanëve i duan Sigurimet Shoqërore, të pasurit nuk i duan. Përpara dy vjetësh një studim novator për preferencat e politikave të shumë të pasurve gjeti shumë kontraste me pikëpamjen e publikut të gjerë; sikurse mund të prisje, të pasurit janë politikisht të ndryshim nga ti dhe unë. Por ata nuk janë askund tjetër më të ndryshëm se sa janë në çështjen e Sigurimeve Shoqërore. Me një marzh shumë të gjerë, amerikanët e zakonshëm duan që Sigurimet Shoqërore të shtohen. Por me një marzh edhe më të madh, amerikanët në majën e 1 përqindëshit duan që ai të shkurtohet. Dhe gjejeni se preferencat e kujt po mbizotërojnë ndërmjet kandidatëve Republikanë.

Shpesh mund të shihni nëpër analiza politike të thuhet me të drejtë se votimi në primaret aktuale paraprihet nga një “primare e padukshme” në të cilën kandidatët konkurrojnë për mbështetjen e elitave kryesore. Po kush janë elitat? Në të kaluarën, ata mund të kenë qenë anëtare të aparatit politik ose opinionistë nga më kryesorët. Por ajo që na tregon sulmi ndaj Sigurimeve Shoqërore është se rregullat kanë ndryshuar. Në ditët e sotme, të paktën në kampin Republikan, primaret e padukshme janë kthyer në një konkurrim të ashpër për të fituar simpatitë dhe sigurisht paratë e një numri të vogël plutokratësh.

Kjo rrjedhimisht do të thotë se kandidati Republikan – duke supozuar se nuk do të jetë Z. Trump – do të jetë i angazhuar jo vetëm për ta rikthyer sulmin ndaj Sigurimeve Shoqërore por edhe për një agjendë më të gjerë plutokratike. Pavarësisht nga retorika, partia Republikane është drejt emërimit të dikujt që ka fituar me paratë e mëdha duke premtuar qeverisjen e 1 përqindëshit për 1 përqindëshin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara