Qeveria e Moldavisë rrëzohet me votëbesim në kuvend

16:24 | 12 Nëntor 2019

Qeveria pro-perëndimore e kryeministres Maia Sandu në Moldavi është rrëzuar pasi e humbi votëbesimin në kuvend.

Një grup prej 63 nga 101 deputetët e kuvendit moldav e përkrahën rrëzimin e qeverisë. Partinë pro-ruse, Partinë Socialiste Moldave, e përkrahu për arritjen e këtij qëllimi edhe Partia Demokratike e Moldavisë, e udhëhequr nga oligarku Vlad Plahotniuc.

Partia Socialiste, e udhëhequr nga presidenti Igor Dodon, e dorëzoi kërkesën për votëbesim më 8 nëntor pasi qeveria e Sandu-s e ndryshoi procedurën e zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm, sipas së cilës kryeministri i cakton kandidatët për këtë pozitë.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, të cilat e shkaktuan një krizë kushtetuese në verë, kryeministrja tashmë e rrëzuar, e përkrahur nga një parti tjetër pro-evropiane, e formoi një koalicion jo të lehtë me Partinë Socialiste.

Marrëdhëniet e tensionuara brenda koalicionit qeveritar u rënduan pasi një kandidat i Partisë Socialiste u zgjodh kryetar i kryeqytetit, duke e mposhtur kandidatin që vinte nga partia partnere e kryeministres.

Moldavia po përpiqet t’i zbatojë reformat e kërkuara nga shtetet perëndimore pas zhdukjes së më shumë se 1 miliard dollarëve nga bankat shtetërore para pesë vjetësh. Zhdukja e këtyre parave kishte ndikuar në dobësimin e ekonomisë dhe rrëzimin e qeverisë, shkruan “Free Europe”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara