Presidenti rus nënshkroi ligjin që i përcakton individët si “agjentë të huaj”

01:08 | 3 Dhjetor 2019

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi të hënën ligjin që lejon përcaktimin e individëve si agjentë të huaj, duke nxitur kritika të grupeve të të drejtave të njeriut që thonë se ky veprim do të kufizojë edhe më shumë lirinë e medies në vend.

Ligjet për agjentët e huaj, u prezantuan për herë të parë në vitin 2012, në një përpjekje për t’u dhënë fund fondeve të huaja për OJQ-të ruse, një veprim për të cilin mbrojtësit e shoqërisë civile thanë se ishte jehonë e periudhës sovjetike, kur ato krahasoheshin me tradhtarë dhe spiunë të mundshëm.

Por zgjerimi i përkufizimit të “agjentëve të huaj” për të përfshitë edhe individët privat, shton shqetësimet për mundësinë që gazetarët e pavarur dhe blogerët të vazhdojnë të veprojnë në Rusi.

Disa grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe organizatën Human Rights Watch, kishin bërë thirrje që nisma të hidhet poshtë derisa ajo po miratohej nga ligjvënësit rus.

Sipas ligjit, i gjithë materiali i publikuar nga një individ që merr fonde nga jashtë do të etiketohet se është shpërndarë nga një agjent i huaj. Ligji thotë gjithashtu se çdo individ që shpërndan media të huaja, mund të etiketohet si agjent i huaj.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat e tjera të përcaktuara nga ministria ruse e Drejtësisë si agjentë të huaj, mund t’u nënshtrohen kontrolleve dhe të përballen me një hetim burokratik.

Ligji rus gjithashtu kërkon që të ashtuquajturit agjentë të huaj të paraqesin raporte të rregullta për financimin e tyre, synimet, si i shpenzojnë paratë dhe kush janë menaxherët e tyre./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara