Presidenti gjerman falënderon myslimanët për sjelljen gjatë izolimit në muajin e Ramazanit

23:20 | 22 Maj 2020

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier lavdëroi myslimanët të premten për respektimin e masave të izolimit në vend gjatë Ramazanit, ndërsa kërkoi gjithashtu t’i jepet fund urrejtjes drejtuar pakicës fetare.

Në një mesazh në prag të fundit të muajit të agjërimit dhe reflektimit, Steinmeier shkroi se për shumë myslimanë kufizimet ishin veçanërisht të vështira, transmeton portali arbresh.info.

“Unë do të doja të falënderoja të gjithë ju që zbatuat këto rregulla të rrepta dhe kontribuuan në suksesin tonë të parë në luftën kundër virusit.”

Ramazani shihet si një kohë kur myslimanët bëhen bashkë, në vend që të mbahen larg, gjë që u bë e domosdoshme për shkak të bllokimeve dhe masave të distancimit shoqëror.

Steinmeier premtoi gjithashtu një veprim të vendosur kundër sulmeve të motivuara fetare.

“Urrejtja dhe përjashtimi, sulme të dhunshme që synojnë myslimanët, sulme në xhami – ne nuk mund ta tolerojmë këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë.”

Vitin e kaluar, gjithsej 871 sulme që kishin cak myslimanët ose institucionet e tyre ndodhën në Gjermani dhe presidenti tha se ishte përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë shtetin për të mbrojtur myslimanët./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara