Përkeqësimi i krizës në Jemen, rriten çmimet e ushqimit

23:56 | 13 Shkurt 2020

Programi Botëror për Ushqim i OKB-së (WFP) ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit çmimet e ushqimit janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në Jemenin e përfshirë nga konflikti, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ka pasur një rritje tjetër të mprehtë të çmimit të ushqimit dhe mallrave të tjerë thelbësorë në Jemen. Çmimet po bëhen gjithnjë e më të paarritshme për miliona njerëz”, shkroi në Twitter zyra e WFP-së në Jemen.

WFP atribuoi inflacionin ushqimor në zhvlerësimin e monedhës vendase.

“Në pesë javët e fundit vlera e rialit jemenas ka rënë 15 për qind në jug dhe rreth 7 për qind në veri. Kjo e bëri jetën edhe më të vështirë për shumë familje në Jemen, veçanërisht për ato që jetojnë përgjatë vijave të para”, tha WFP.

Vendasit konfirmuan zhvlerësimin e rialit jemenas, duke theksuar se ka pasur një rritje të dukshme të çmimit të mallrave të konsumit.

Jemeni është kapluar nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014 kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët filloi një fushatë shkatërruese ajrore që synonte kthimin e fitimeve territoriale të rebelëve Houthi.

Sipas OKB-së, që atëherë dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë shumë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, ndërkohë 14 milionë të tjerë rrezikojnë nga uria.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara