Partia e Orbanit pëson humbje shokuese në Budapest

14:20 | 14 Tetor 2019

Opozita hungareze i ka fituar zgjedhjet lokale në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, duke e rrëzuar nga pushteti kryetarin e partisë që është në pushtet në nivelin qendror.

Kandidati liberal për kryetar të kryeqytetit hungarez, Gergely Karacsony, e mposhti kandidatin Istvan Tarlos, i cili e kishte mbështetjen e partisë së kryeministrit Voktor Orban.

Fitorja shokuese paraqet humbjen e parë të rëndësishme në zgjedhje lokale për Orbanin që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2010.

Opozita hungareze shënoi fitore edhe në pjesë të tjera të Hungarisë, duke fituar në 10 nga 23 qytetet kryesore të vendit.

Partitë opozitare e kanë fituar shumicën e ulëseve edhe në këshillin e qytetit të Budapestit, duke e marrë tërësisht nën kontroll qytetin më të madh të Hungarisë.

Fituesi i garës në kryeqytet, i cili ka qëndrime pro-evropiane, e quajti historike fitoren e tij. “Ne do ta nxjerrim qytetin nga shekulli i njëzetë dhe do ta dërgojmë në shekullin 21. Budapesti do të jetë i gjelbër dhe i lirë, do ta kthejmë atë në Evropë”, tha kryetari i ri i kryeqytetit hungarez.

Kjo është humbja e parë e madhe për partinë e kryeministrit Orban që nga viti 2006. Vetë kryeministri u mundua t’i ngushëllojë përkrahësit e vet, duke thënë: “Partia jonë është më e madhja në Hungari dhe ne do të veprojmë sipas këtij fakti”, shkruan “BBC”/ Express.

Lajmet më të lexuara