Paratë e pista: Dosjet zbulojnë mashtrimin global

18:07 | 23 Shtator 2020

Disa dokumente që dolën në shtyp, ngrejnë dyshime serioze se bankat më të mëdha në botë kanë lejuar qarkullimin e dy trilionë dollarëve të lidhura me veprimtari të dyshimta ose mashtrime si pastrimi i parave për grupe kriminale dhe terroristët.

Dokumentet që njihen si “Dosja FinCen” përmbajnë më shumë se dy mijë raporte për veprimtari të dyshimta. Raportet i janë dërguar Departamentit amerikan të Thesarit nga banka të ndryshme, duke njoftuar autoritetet për aktivitete të mundshme kriminale nga viti 1999 deri më 2017. Dosja u zbulua nga portali Buzzfeed dhe i është shpërndarë një rrjeti gazetarësh.

Dokumentet pretendojnë se banka e madhe britanike HSBC transferoi 80 milionë dollarë nga ShBA në Hong Kong përkundër paralajmërimeve nga autoritetet amerikane për mashtrim.

AP (Associated Press)

“JP Morgan” transferoi një miliard dollarë përmes një llogarie në Londër që më vonë u zbulua se i përkiste Semion Mogilevich, një bos i mafias ruse në listën e më të kërkuarve të FBI-së.

Deutsche Bank akuzohet se transferoi para të pista nga pastrues parash që kishin lidhje me grupe të organizuara kriminale dhe terroristë.

Edhe banka “Standard Chartered” dhe banka “Mellon” e Nju Jorkut janë pjesë e dosjes së zbuluar. Të gjitha bankat e përmendura thonë se rastet i përkasin të kaluarës dhe se ato janë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret.

“Më e rëndësishmja është investimi i madh në këtë sektor që nga viti 2015”, thotë Joearg Eidendorf, zëdhënës i “Deutsche Bank”.

Por pse nuk u ndaluan transaksionet? Eksperti i krimeve financiare, Tom Keatinge, thotë se është e vështirë për bankat të identifikojnë aktivitetet kriminale.

“Le të bëjmë një krahasim të thjeshtë, imagjino sikur je duke qëndruar në një cep të rrugës së Oksfordit në Londër, një rrugë kryesore tregtare. Dhe dikush thotë ‘duhet të identifikosh personat që sapo kanë vjedhur në dyqane ose kush do të shkojë për të vjedhur.’ Nuk është aspak e lehtë ta bësh këtë?”, thotë ai.

Ai shton se sistemi global për raportim të aktiviteteve të dyshimta financiare nuk i përshtatet qëllimit.

“Raporte për aktivitete të dyshimta nga bankat ose kontabilistët arrijnë në gjysmë milioni në Mbretërinë e Bashkuar dhe disa milionë në Shtetet e Bashkuara. Çfarë bëjnë autoriteet me ato të dhëna? Sigurisht që nuk e shikojnë secilën dosje”, thotë zoti Keatinge.

Politika britanike është po ashtu në qendër të vëmendjes. Lubov Chernukhin, që ishte fotografuar afër ish kryeministres Theresa May më 2019, dhuroi 2.2 milion dollarë për Partinë Konservatore.

Dosjet zbulojnë se burri i saj është financuar në mënyrë të fshehtë nga Suleyman Kerimov, një oligark rus nën sanksione amerikane, që ka lidhje të forta me Presidentin Vladimir Putin. Donacioni i zonjës Chernukhin ishte i ligjshëm dhe i deklaruar.

Transparency International vlerëson se 100 miliardë dollarë në formë parash të pista qarkullojnë çdo vit në Londër.

“Nëse doni të pastroni para të pista, Britania e Madhe ka pajisjet që u duhen. Ka firma juridike, banka globale, qendra financiare në det të hapur, pasuri të patundshme për investim të parave tuaja dhe ka shkolla private për të shpenzuar paratë tuaja. Prandaj, sa më shpejt që Mbretëria e Bashkuar t’i përgjigjet krimit financiar, aq më mirë. Ne duhet të lëvizim më shpejt në rregullimin e sistemit, sepse aktualisht kriminelët janë në epërsi”, thotë Tom Keatinge nga Qendra për Krime Financiare dhe Studime të Sigurisë.

Zoti Keatinge thotë se ndryshe nga pretendimet e bankave, aktiviteti kriminal financiar vazhdon të ndodhë në shkallë të gjerë. Ai këshillon qeveritë dhe institucionet financiare të bëjnë shumë më shumë për ta penguar këtë dukuri./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara