Paralajmërohen rregulla më të ashpra për të marrë vizë amerikane

23:58 | 28 Prill 2019

Presidenti Donald Trump këtë javë propozoi masa të reja ndaj njerëzve që udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara me vizë dhe qëndrojnë ilegalisht pas skadimit të vizës.

Kjo politikë e re do të ndëshkojë vendet që kanë ritme të larta të shkeljes së vizave, duke ndikuar më shumë tek vendet e Afrikës.

Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara dhanë më shumë se nëntë milionë viza vizitorësh, përfshirë viza për turistë, studentë dhe punonjës të përkohshëm nga e gjithë bota. Rreth dy për qind e ardhurve qëndruan përtej afatit të leje qëndrimit.

Shtëpia e Bardhë i ka urdhëruar Sekretarin e Shtetit dhe të Sigurisë Kombëtare që të identifikojnë mënyra për të pakësuar shkeljet e vizave 3 mujore nga persona që vijnë me viza vizitorësh.

Vendet që nuk i pakësojnë rastet e mbi qëndrimit mund të ndëshkohen me rregulla më të ashpra për të marrë viza për në SHBA. Kjo politikë e re shihet si zgjerim i mëtejshëm i pikësynimit të zotit Trump për të pakësuar rastet e imigracionit të paligjshëm përmes kalimit të pa utorizuar të kufirit.

“Kongresi duhet gjithashtu të veprojë për të përmirësuar ligjet tona të vjetërsuara e të papërshtatshme të emigracionit”, tha presidenti Trump.

Sipas planit, disa vende mund të përballen me kufizim të vizave, apo edhe kërkesa që udhëtarët të paguajnë “obligacione paraprake”, të cilat do të’u ktheheshin kur ata të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat qeveritare tregojnë se vitet e fundit, qëndrimet pas skadimit të vizave e tejkalojnë numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit, duke përbërë një pjesë të konsiderueshme të rreth 11 milionë njerëzve që jetojnë në mënyrë të paligjshme në SHBA.

Por disa analistë vënë në pikëpyetje strategjinë e administratës për të marrë masa ndaj vendeve me ritme të larta të shkeljes së vizave, në vend të vendeve me një numër të madh personash që qëndrojnë pas skadimit të afatit të vizave.​

“Çadi ka një shkallë të shkeljes, ose që dyshohen për shkeljen e vizave rreth nivelit 20%. Por kjo përkthehet vetëm në 140 vetë në vitin 2017. Ndërsa një vend si Britania, ka më shumë se 23,000 raste të dyshuara për shkeljen e vizave në vitin 2017. Pra, edhe pse kjo normë për Britaninë është shumë e ulët, shifra 23,000 është shumë më tepër se 140.”- thotë Rick Su, profesor në Universitetin Buffalo.

Xhibuti, Ishujt Solomon, Eritrea, Çadi, Liberia dhe Somalia janë ndër vendet me normat më të larta të shkeljes së vizave. Nuk është e qartë se çfarë hapash mund të ndërmarrin ato për t’i bindur njerëzit të kthehen.

Zyrtarët e administratës nuk iu përgjigjën pyetjeve të Zërit të Amerikës në lidhje me motivet e fokusimit tek normat e shkeljes së vizave, por aktivistët e emigracionit thonë se kjo masë prek në mënyrë të padrejtë vendet afrikane dhe mund të sfidohet në gjykatë.

“Nëse qeveria vendosi që do t’i kufizonte vizat turistike B1 dhe B2, vizat për biznes nga Afrika, ky vendim mund të ankimohet si i bazuar në diskriminim, me argumentin se ky ndryshim administrativ është arbitrar dhe bazohet tek diskriminimi”, thotë Samah Mcgona Sisay, i Komitetit të Shërbimeve Afrikane.

Analistët theksojnë se mund të ketë një arsye tjetër përse administrata amerikane po përqendrohet tek vendet me norma të larta të shkeljes së vizave.

“Këto janë vende më të vogla dhe administrata mund të ndjejë se është më e lehtë për t’u marrë me to dhe pastaj të merret me vende të mëdha, me të cilët ka më tepër lidhje, si Kanadaja, Meksika, apo Britania”, – thotë Rick Su, i Universitetit Buffalo.

Kanadaja, Meksika dhe Britania janë në mesin e 5 vendeve me numrin më të lartë të shkeljeve të vizave, krahas me Brazilin dhe Venezuelën.

Administrata Trump thotë se e konsideron trajtimin e çështjes së shkeljes së vizave një përparësi të sajën, me qëllimin “për të mbrojtur taksapaguesit amerikanë”./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara