Palestinezët e kundërshtojnë planin amerikan për paqe me Izraelin

18:46 | 26 Qershor 2019

Palestinezët kanë dalë edhe një herë kundër planit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ata thonë se korniza e këtij plani për nxitje të tregtisë dhe investimeve i lë anash aspiratat e popullit të tyre për krijim të shtetit të pavarur.

Shtetet e Gjirit Persik, të cilat morën pjesë në një takim ndërkombëtar në Bahrejn, të organizuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, u dha mbështetje e plotë për këtë plan për investime.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e këtyre shteteve e kanë theksuar faktin se marrëveshja e paqes duhet të jetë e mbështetur në zgjidhjen me dy shtete.

Dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, tha: “Hollësitë politike do të publikohen atëherë kur ne të jemi gati dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Në këtë takim nuk po marrin pjesë qeveria e Izraelit dhe qeveria e Palestinës. Përndryshe, qindra palestinezë kanë protestuar përsëri në Rripin e Gazas.

Në parullën që bartej nga ta shkruhej “Jo konferencës së tradhtisë kombëtare, jo konferencës së turpit”, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara