Paditet qeveria norvegjeze për nxjerrjen e naftës në Arktik

09:19 | 5 Nëntor 2019

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit do ta dërgojnë në gjykatë qeverinë norvegjeze për t’i kundërshtuar planet e saj për të bërë shpine dhe kërkime të reja për naftë në ujërat e Arktikut.

Qeveria e ka marrë këtë vendim pavarësisht zotimit për luftimin e krizës mjedisore.

Organizatat “Greenpeace Nordic” dhe “Natyra dhe Rinia e Norvegjisë” do të dorëzojnë ankesë ndaj vendimit të gjykatës për miratimin e planit të qeverisë për nxjerrje të naftës në disa pjesë të Oqeanit Arktik me arsyetimin se një plan i tillë e shkel të drejtën e popullit për të pasur mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Grupet mjedisore pritet të ankohen se vendimi i qeverisë është në kundërshtim me ligjin kushtetues që e detyron qeverinë të sigurojë mjedis të shëndoshë për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Aktivistët thonë se plani i qeverisë bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Ndryshe, Norvegjia është zotuar për të ofruar ndihmë në luftimin e gazrave të karbonit përmes heqjes dorë nga investimi në karburante, por qeveria e këtij vendi ka vazhduar t’i përkrahë projektet e reja për nxjerrje të naftës.

Sasia e përgjithshme e lirimit të gazrave të karbonit në vendin e pasur me naftë pritet të rritet për 16 për qind këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, sepse kompanitë e naftës i kanë hapur 130 puse të naftës dhe gazit gjatë vitit 2019, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara