OKB: Vrasjet kanë marrë jetëra pesë herë më shumë se sa luftërat

13:28 | 9 Korrik 2019

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se numri i viktimave nga vrasjet në mbarë botën është pesë herë më i madh se ata që janë vrarë në rajonet ku ka luftëra dhe konflikte, transmeton Anadolu Agency.

Sipas një raporti të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, në vitin 2017 në të gjithë botën janë vrarë 464 mijë njerëz ndërsa më shumë se 89 mijë njerëz humbën jetën në luftëra dhe konflikte. Vitin e njëjtë 26.000 njerëz humbën jetën si pasojë e akteve terroriste.

Në raport është tërhequr vëmendja se viktimat e vrasjeve janë pesë herë më shumë se ata që kanë vdekur në konfliktet e armatosura dhe luftërat.

Normat më të larta të vrasjeve në Amerikën Qendrore

Përderisa 19 për qind e vrasjeve në mbarë botën rrjedhin nga krimi i organizuar, normat më të larta të vrasjeve janë regjistruar në Amerikën Qendrore, ku krimi i organizuar dhe dhuna e bandave janë më të përhapura. Në Amerikën Qendrore, 62.1 në çdo 100 mijë persona kanë qenë viktima të vrasjeve.

Sipas raportit, vendet me normat më të ulëta të vrasjeve janë shtetet ishullore në Azi, Evropë dhe Paqësorin Qendror dhe Jugor.

Raporti gjithashtu ka vënë në dukje se është shënuar një rritje në përqindjen e grave të vrara për shkak të dhunës në familje dhe se 58 për qind e vrasjeve të grave kanë ndodhur për shkak të dhunës në familje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara