OKB-ja i bën thirrje zyrtarëve amerikanë për vetëpërmbajte në ndërhyrjen gjatë protestave

09:53 | 3 Qershor 2020

“Ankesat duhet të dëgjohen, por ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe zyrtarët duhet të jenë të vetëpërmbajtur në ndërhyrjen ndaj protestave. Të gjithë duhet ta refuzojmë racizmin”, ka theksuar sekretari i Përgjithshëm i OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë për vetëpërmbajtje në ndërhyrjen ndaj protestave që filluan pasi afro-amerikani George Floyd humbi jetën si pasojë e dhunës policore.

Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Guterres është shprehur se “Është e trishtueshme të shikojmë ngjarje të dhunës në vendin tonë pritës dhe në New York në qendrën e OKB-së”.

“Ankesat duhet të dëgjohen, por ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe zyrtarët duhet të jenë të vetëpërmbajtur në ndërhyrjen ndaj protestave”, ka bërë thirrje Guterres i cili ka theksuar se “Të gjithë duhet ta refuzojmë racizmin”.

Ndër të tjera Guterres ka deklaruar se liderët nga çdo shtresë e shoqërisë duhet të investojnë në unitetin social kundër pabarazisë dhe diskriminimit.

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua nga policia disa ditë më parë në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai iu përgjërua policëve duke thënë: “Nuk mund të marr frymë”, pasi një polic i kishte vendosur për disa minuta gjurin mbi qafën e tij.

Floyd ndërroi jetë në spitalin ku u dërgua nga ekipet shëndetësore që mbërritën në vendngjarje, ndërkohë që pamjet e regjistruara me celularë nga qytetarët që kalonin në rrugë shkaktuan reagime të mëdha në rrjetet sociale.

Pamjet ndezën sërish debatin e dhunës policore kundrejt njerëzve me ngjyrë në SHBA dhe si rrjedhojë u mbajtën protesta në shumë qytete të vendit kryesisht në Minneapolis.

Protestat për Floyd vazhdojnë prej një jave, ndërsa të paktën 40 qytete përfshirë kryeqytetin Washington dhe New York e filluan javën me orët policore gjatë natës.

Në rreth 25 qytete janë mobilizuar Njësitë e Gardës Kombëtare për të mbështetur policinë dhe për të marrë nën kontroll ngjarjet.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara