Në Ruandë lançohet smartfoni i parë i Afrikës

11:15 | 8 Tetor 2019

Grupi Mara lançoi në Ruandë telefonin e parë të mençur afrikan, ndërsa synon të eksportojë telefona edhe në vendet e tjera të rajonit

Grupi Mara, një kompani pan-afrikane me shumë sektorë biznesi, inauguroi fabrikën e prodhimit të telefonave Mara në kryeqytetin e Ruandës Kigali.

Telefonat e parë të bërë në Ruandë përfunduan procesin e prodhimit javën e kaluar në fabrikën që gjendet në zonën speciale ekonomike të Kigali.

Telefonat Mara u dizajnuan në partneritet me Google si pjesë e Programit Android One.

Fabrika e re aktualisht prodhon dy versione të telefonit me çmim midis 129 dhe 189 dollarë.

Në të janë të punësuar rreth 200 persona në Ruandë, 60 për qind e të cilëve janë gra.

Duke folur në ceremoninë e përurimit, presidenti i Ruandës Paul Kagame tha se lançimi i telefonave Mara do të mundësojë që më shumë ruandas të zotërojnë smartfona.

“Produkti mbështetet nga një garanci dhe çmimi mund të paguhet me këste për dy vjet. Është bërë përpjekje që ai të bëhet sa më i thjeshtë dhe i përdorshëm për ruandasit”, tha Kagame.

Ai theksoi se përqindja e ruandasve që përdorin telefonat e mençur është e ulët, por shtoi se qeveria gradualisht po merret me pengesat përmes nismave të tilla si ajo e grupit Mara.

Në Ruanda, qasja në internet aktualisht qëndron mbi 52,1 për qind, që paraqet rritje për 7 për qind nga viti 2011.

Sipas Ministrisë së Teknologjisë, Komunikimit dhe Inovacionit, qasja në telefona aktualisht është rritur në mbi 80,6 për qind, nga 33 për qind në vitin 2010.

“Smartfonat nuk janë më një pajisje luksoze. Ato shpejt po bëhen një nevojë e jetës së përditshme. Ky trend do të rritet në vitet në vijim, pasi gjithnjë e më shumë shërbime po kalojnë në platformat digjitale”, tha Kagame.

Përveç tregut të Ruandës, Mara synon të eksportojë telefona edhe në vendet e tjera të rajonit.

Shefi ekzekutiv i Mara Phone, Ashish Thakkar, tha se kompania beson fuqimisht se prodhimi i smarfonave në vend do të jetë krenari e madhe për kontinentin afrikan.

“Sot është një ëndërr e madhe që u bë realitet jo vetëm për Mara, por edhe për Ruandën dhe Afrikën. Ky është një moment historik për sa i përket zhvendosjes së narracionit për kontinentin afrikan në kuptimin se edhe afrikanët mund të prodhojnë produkte standarde globale me cilësi të lartë”, tha ai.

“Ky është prodhim, e jo thjeshtë montim”, shtoi Thakkar.

Thakkar vitin e kaluar gjithashtu njoftoi synimet e kompanisë për të ndërtuar një fabrikë për prodhimin e smarfonave edhe në Afrikën e Jugut./aa

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara