Nafta zgjeron humbjet

10:01 | 5 Qershor 2019

Nafta po gjendet nën presion edhe në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave që kanë konfirmuar ngadalësimin e ekonomisë botërore, që po fillon të japë efekte edhe në konsumin e “arit të zi”.

Megjithatë, humbjet po kufizohen nga angazhimi i Arabisë Saudite që po koordinohet me vendet e tjera për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 53 dollarë për fuçi. Çmimet e naftës kanë humbur rreth 20% të vlerës që nga niveli maksimal i 2019-së të regjistruar në prill. Tregtarët kanë shitur kontratat “futures” të naftës për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me ngadalësimin e ekonomisë botërore dhe rënies të konsumit.

Ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, deklaroi se prodhuesit po zhvillojnë bisedime për të siguruar një qëndrueshmëri në tregun e naftës, edhe në gjysmën e dytë të vitit. Prodhuesit e Lindjes së Mesme dhe disa prodhues të tjerë, me në krye Rusinë, do të takohen në fund të këtij muaji për të përcaktuar politikat e prodhimit për gjysmën e dytë të vitit.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prodhimi vijon rritjen, duke regjistruar nivelin e 12.3 milionë fuçi në ditë, nga 11.1 milionë fuçi që prodhon Rusia dhe 9.65 milionë Arabia Saudite. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara