Ministrat e Jashtëm të pesë vendeve, qytetarët e të cilëve humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit ukrainas në Iran do të takohen në Londër

09:11 | 14 Janar 2020

Pesë vendet, shtetasit e të cilëve humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit të Ukrainës në Iran, pritet të takohen të enjten në Londër, ku do të diskutojnë për një veprim të mundshëm ligjor, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Vadim Pristajko.

“Në Londër do të diskutohet për kompensimin dhe hetimin”, ka shtuar Pristajko në Singapor, ku aktualisht po qëndron për një vizitë zyrtare, transmeton Telegrafi.

Pristajko ka bërë të ditur se aeroplani i tyre ishte rrëzuar nga autoritetet e sigurisë iraniane, pasi sipas tyre kishte fluturuar në afërsi të një baze ushtarake ajrore, në kohën kur tensionet ishin në kulm pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

“Është e pakuptimtë, sepse është konfirmuar se aeroplani ynë po lëvizte në trafikun ndërkombëtar. Asgjë të pazakontë nuk ka pasur”, shtoi ai.

Duke u thirrur në burime të afërta me hetuesit, ai tha se fjalët e fundit të pilotit ishin: “Gjithçka është në rregull, po kaloj në autopilotim”.

“Dëgjova në media se aeroplani ynë ndërroi kurs, e vërtetë pasi u godit nga raketa”, shtoi ministri i Jashtëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara