Mahmood, këngëtari me origjinë egjiptiane triumfon në Sanremo

15:30 | 10 Shkurt 2019

Pas thuajse një jave plot me muzikë, Italia kurorëzoi fituesin e festivalit të famshëm të saj, Sanremos, duke ia dhënë trofeun të riut me origjinë egjiptiane, Mahmood, që rrëmbeu zemrat e publikut dhe jurisë me këngën e tij “Soldi”.

Në edicionin e 69 të eventit ikonë për muzikën e fqinjit tonë përtej Adriatikut, i riu italo-egjiptian spostoi në vend të dytë atë që parashikohej gjerësisht të fitonte, Ultimon dhe në të tretin, Il Volo.

Një fitore e papritur, e cila u përcaktua nga një miks i votës së teleshikuesve, gjykimit të medias dhe jurisë së profesionistëve. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministër i Brendshëm i vendit, Matteo Salvini.

“Mahmood? Kënga më e bukur italiane? Unë do të kisha zgjedhur Ultimon, ju si thoni” ka shkruar ai në Twitter. Brenda pak çastesh nga ky postim, i mbërritën me mijëra replika e nuk ka vonuar edhe përgjigja e vetë Mahmoodit.

“Unë jam italian, i lindur e i rritur në Milano. Vendosa një shprehje arabe në këngën time, sepse më kujton fëmijërinë, por jam italian 100%”, është shprehur ai.

Me nënë sarde dhe baba egjiptian, Alessandro Mahmoud ka lindur në qytetin verior të Italisë në vitin 1992 dhe kishte marrë pjesë edhe në Sanremon e 2016-ës, në seksionin e emrave të rinj, ku qe klasifikuar i katërti.

Përveçse këngëtar, 27 vjecari është edhe autor. Komuniteti arab atje e përshkroi fitoren e tij si përgjigjen më të mirë që mund të jepte një vend si Italia, i cili beson tek meritokracia, tek dialogu dhe integrimi dhe refuzon me forcë etiketën e racizmit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara