Liderët botërorë nderojnë Kofi Annan-in

07:04 | 14 Shtatorë 2018

Të enjten u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së Kofi Anan, në atdheun e tij Ganë. Në ceremoni morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre sekretari i Përgjithshëm i OKB’së Antonio Guterres si dhe udhëheqës nga Bregu i Fildishtë, Liberia, Namibia, Nigeria dhe Zimbabve, princi i kurorës së Norvegjisë dhe ish-presidentë të Ganës.

Gjashtë mijë vetë mbushën një sallë të madhe në kryeqytetin e vendit Accra, ku ndodhej arkivoli i Kofi Ananit i mbështjellë me një flamur kombëtar. Ceremonia u shfaq në ekrane të mëdha, jashtë vendit ku kryheshin homazhe, për ata që nuk arritën të futeshin dot brenda.

“Ai ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm botëror”, tha sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres

“Ai ishte gjithashtu një njeri tek i cili çdokush në botë mund të shihte veten, ata që jetojnë në kufijtë e skajshëm të varfërisë, konfliktit dhe dëshpërimit, të cilët gjetën tek ai një aleat, stafi i ri i Kombeve të Bashkuara, që po vazhdon punën nën gjurmët e tij, të rinjtë, të cilëve ai u pati thënë: deri në frymën e fundit gjithmonë mbani mend, nuk jeni kurrë tepër të rinj për të udhëhequr dhe nuk jeni kurrë, shumë të vjetër për të mësuar”

Kofi Anan e udhëhoqi organizatën e Kombeve të Bashkuara nga janari 1997 deri në dhjetor 2006.

Në vitin 2001 atij iu u dha një çmim Nobel për Paqen, i përbashkët me Kombet e Bashkuara, për “punën e tyre për një botë më të organizuar dhe më paqësore”.

Por Kofi Anan u bë gjithashtu objekt kritikash gjatë kohës që drejtonte forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara se nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar vdekjen e 800 mijë ruandezëve gjatë gjenocidit të vitit 1994 dhe të mijëra burrave dhe djemve myslimanë të vrarë në masakrën e Srebrenicës në 1995.

Kofi Anan vdiq më 18 gusht në moshën 80 vjeçare në një spital të Zvicrës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale