Lavrov: Rusia e di mirë si do t‘i përgjigjet kërcënimeve të NATO-s

20:14 | 5 Dhjetor 2019

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, duke theksuar se NATO po përpiqet të vendosë dominim mbi botën, tha se vendi i tij e di se si do t’i përgjigjet kërcënimeve të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Lavrov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas takimit të 26-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë.

“NATO e shikon veten saj si burim legjitimiteti dhe përpiqet që t‘i bindë të gjithë se vetëm ajo mund ta ndërmarrë këtë rol. NATO po zgjeron infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufirit të Rusisë”, tha Lavrov duke shprehur shqetësime për veprimet e NATO-s.

Ai theksoi se NATO ka rritur buxhetin e saj në fushën ushtarake.

“NATO po përpiqet të krijojë dominim mbi botën, përfshirë Evropën, Atlantikun dhe Lindjen e Mesme. NATO dëshiron të eliminojë të gjithë rivalët e saj duke prishur balancën e Rusisë dhe Kinës. Ne e dimë mirë se si do t‘i përgjigjemi kërcënimeve të NATO-s pa hyrë në garën e armatosjes dhe duke garantuar sigurinë tonë”, komentoi Lavrov.

Ndër të tjera, Lavrov vlerësoi edhe vendimin e NATO-s për përdorimin e hapësirës si fushë të re operacionale, duke theksuar se duhet të ndiqen rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me garantimin e sigurisë.

Më tej, Lavrov bëri koment edhe për diplomatët rusë në ambasadën ruse në Berlin, që u dëbuan në lidhje me vrasjen e një personi me nënshtetësi ruse dhe gjeorgjiane në Gjermani.

“Ne kemi kanale për të mbajtur kontakte lidhur me shkeljen e legjislacionit të të dy vendeve. Këto kanale duhet të përdoren”, tha ministri rus.

“Unë nuk e di se në çfarë bazohen partnerët tanë gjermanë lidhur me mendimin e tyre se Rusia nuk po bashkëpunon në mënyrë të mjaftueshme. Në këtë mënyrë nuk duhet të flitet me askënd”, shtoi kryediplomati rus Lavrov.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara