Laburistët pajtohen për zgjedhje në dhjetor

14:27 | 29 Tetor 2019

Lideri i partisë kryesore opozitare britanike, Jeremy Corbyn, ka njoftuar se partia e tij do të mbështesë zgjedhjet e përgjithshme në dhjetor, që po propozohen nga qeveria, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një kumtesë nga Partia Laburiste, Corbyn thotë se partia e tij është “e gatshme për zgjedhje dhe mbështetja jonë i nënshtrohet menjanimit nga tavolina të një Brexit-i pa marrëveshje”.

“Tani kemi dëgjuar nga BE-ja që zgjatja e nenit 50 deri më 31 janar është konfirmuar, kështu që për tre muajt e ardhshëm, është përmbushur kushti jonë për të larguar nga tavolina mundësinë e Brexit-it pa marrëveshje”, tha ai.

Njoftimi i Corbyn-it erdhi disa orë para se Parlamenti të votojë në lidhje me ligjin e qeverisë që sipas të cilit zgjedhjet caktohen më 12 dhjetor.

Një mocion për zgjedhjet e propozuara u votua dje në Dhomën e Përfaqësuesve, por kryeministri Boris Johnson nuk arriti të marrë numrin e mjaftueshëm të votave për mocionin dhe prezantoi projektligjin për zgjedhjet.

Nevojiten 320 vota që ligji të miratohet me shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ne tani do të nisim fushatën më ambicioze dhe radikale për ndryshime reale që vendi ynë ka parë ndonjëherë”, tha Corbyn.

Dy partitë tjera opozitare, Demokratët Liberalë dhe Partia Kombëtare Skoceze (SNP) kanë bërë të ditur se do të japin mbështetje për zgjedhjet e parakohshme nëse ato mbahen më 9 dhjetor, para se shkollat në Mbretërinë e Bashkuar të shkojnë në pushimet e Krishtlindjes, në mënyrë që studentët të mund të votojnë.

Projektligji me amendamentet do të vihet në votim sot pas një debati nga ligjvënësit.

Mbretëria e Bashkuar duhej të largohej nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, por një prolongim u dha nga BE-ja për të shtyrë afatin më 31 janar të vitit të ardhshëm. Ky prolongim i njohur si “flextension” mund të ndërpritet nëse Britania arrin të ratifikojë në një datë më të hershme marrëveshjen e rishikuar të kryeministrit Johnson.

Johnson, i cili ka insistuar që Mbretëria e Bashkuar duhet të braktisë BE-në më 31 tetor, ka kërkuar një prolongim pasi javën e kaluar dështoi në një votim që do të vendoste në një procedurë të përshpejtuar legjislacionin e marrëveshjes së tij.

Projekt-ligji i Marrëveshjes së Tërheqjes nga BE-ja kaloi fazën e parë të procesit legjislativ javën e kaluar, por procesi u ndalua nga Johnson kur ai nuk arriti të merrte miratimin e orarit për ta miratuar ligjin para afatit të 31 tetorit.

Mbretëria e Bashkuar vendosi të braktisë BE-në në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara