Kryenegociatori i BE-se: Marrëveshja për Brexit është e mundur

19:31 | 9 Tetor 2019

Negociatori i Bashkimit Evropian (BE) për Brexit-in, Michel Barnier, vazhdon të besojë se marrëveshje për Brexit me Mbretërinë e Bashkuar është e mundur, pavarësisht hendekut masiv në pozicionet e tyre negociuese përpara afatit, transmeton Anadolu Agency (AA)

“Marrëveshja është e mundur, shumë e vështirë, por e mundur”, tha Barnier.

Barnier tha se është thelbësore që negociatorët të jenë të qetë në periudha të tilla stresuese. Ai tha se “BE do të mbetet e qetë, vigjilente, respektuese dhe konstruktive”.

Barnier do të takohet të enjten në Bruksel me sekretarin e Britanisë së Madhe për Brexit, Stephen Barclay.

Britania e Madhe, siç është paraparë, më 31 tetor duhet të largohet nga BE-ja, por trazirat brenda qeverisë britanike kanë ngritur mundësinë e një shtyrje tjetër të datës së tërheqjes.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, insiston se Britania e Madhe më 31 tetor do të largohet nga BE-ja me ose pa marrëveshje, por parlamenti britanik miratoi një ligj sipas të cilit kërkon nga ai një shtyrje të afatit nëse nuk arrihet marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara