Kina thotë se i ka liruar ujgurët myslimanë, s’ofron dëshmi

13:54 | 9 Dhjetor 2019

Autoritetet kineze kanë deklaruar se ujgurët dhe pakicat e tjera kombëtare janë liruar nga kampet e rajonit Xinjiang, ndonëse për një gjë të tillë nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi.

Si kundërpërgjigje ndaj kritikave të shumta ndërkombëtare për ndalimin e rreth 1.5 milionë njerëzve në kampe, guvernatori i rajonit Xinjiang, Shohrat Zakir, tha para gazetarëve në Pekin se personat që më parë kanë qenë duke qëndruar në kampe i janë kthyer shoqërisë.

Kina për një kohë të gjatë ka mohuar se menaxhon kampe që nga aktivistët për të drejtat e njeriut janë cilësuar si kampe të riedukimit, ku personat e ndaluar janë të detyruar t’i nënshtrohen indoktrinimit politik. Në vend të kësaj, autoritet thonë se këto kampe shërbejnë për trajnimin e personave vullnetarë për shkathtësi të ndryshme profesionale.

“Tash, të gjithë të trajnuarit i kanë përfunduar studimet, kanë gjetur vende pune të qëndrueshme me ndihmën e qeverisë, e kanë përmirësuar cilësinë e jetës dhe po e jetojnë një jetë të lumtur”, tha guvernatori Zakir.

Sipas tij, personat e trajnuar e kanë mësuar gjuhën kineze, ligjet e shtetit dhe aftësitë profesionale me qëllim të eliminimit të ekstremizmit.

Megjithatë, sipas disa dokumenteve qeveritare, të cilat janë parë nga disa medie ndërkombëtare, personat e mbajtur në këto kampe i janë nënshtruar transformimit edukues dhe kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në kampe për së paku një vit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara