Kina teston kapacitetet ushtarake: Të përmirësojmë aftësitë ushtarake, për paqe dhe stabilitet

15:23 | 1 Gusht 2020

Kina synon që paqen dhe stabilitetin në komb ta arrijë duke pasur një ushtri sa më të fortë dhe moderne. Në javën e 93-vjetorit të saj, vendi ka demonstruar kapacitetet teknologjike të së ardhmes.

Ushtria kineze po kërkon në mënyrë konstante të përmirësojë aftësitë e veta për t’iu përgjigjur çdo situate të papritur në të ardhmen.

Në Pekin, autoritetet mbajtën të shtunën ceremoninë e ngritjes së flamurit të Ushtrisë Popullore Çlirimtare me rastin e 93-vjetorit të formimit të saj në sheshin simbol të Tiananmenit.

Këtë fillimvit mijëra trupa vendëse dhe personel mjekësor i ushtrisë u desh të shpërndahet në vatrat e sëmundjes së Covidit-19 kur ajo shpërtheu në rajonin e Uhanit, dhe në muajin korrik, për të kontribuar në lehtësimin e situatës prej përmbytjeve.

Për këto operacione u organizuan edhe forcat ajrore, u vu në punë rrjeti hekurudhor për transportin e ushtarakëve dhe të ndihmave, por nuk u la pas as testimi i teknologjive më të reja.

Gjatë javës, flota ajrore demonstroi furnizimin me karburant të avionëve reaktivë në kushte errësire dhe në lartësinë mijëra metra nga Toka, një arritje që për vendin tregon gatishmërinë për skenarë të zgjatur lufte.

“Duhet të jemi të zotët me përdorimin e armëve, të përmirësojnë aftësitë ushtarake në nivelin më të lartë dhe të përgatitemi për gjendje lufte në çdo kohë. Duhet të sigurohemi që sapo presidenti Shi Xhinping të japë urdhrin, menjëherë ne duhet të veprojmë, luftojmë dhe fitojmë.”

“Në vitet e fundit kemi tejkaluar vështirësitë me platformat ajrore dhe me furnizimin në ajër të avionëve gjuajtës. Trupat tanë do munden me sukses që t’i përmirësojnë kapacitetet e tyre luftarake edhe në kushtet e natës.”

Pjesë e testimeve këtë javë ishte edhe katërsiluruesi i Nançangut, një anije luftarake e shpejtë e klasit 10 mijë tonë, e cila përshkoi më shumë se 14 mijë nyja detare për të simuluar betejat reale.

Kina numëron më shumë se 2 milionë ushtarë aktivë, numër ky më i larti në botë, ndjekur nga India, SHBA-ja, Koreja e Veriut dhe Rusia me 900 mijë ushtarë aktivë.

Pekini thekson se epërsia e vet ushtarake do të shfrytëzohet në rast krizash për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e kombit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara