Kina e bën të detyrueshëm skanimin e fytyrës për përdoruesit e telefonave

09:25 | 2 Dhjetor 2019

Të gjithë përdoruesit e telefonave në Kinë, të cilët duan të përdorin numra të rinj, janë të detyruar t’i nënshtrohen procesit të skanimit të fytyrës. Ky rregull hyri në fuqi të dielën.

Sipas udhëzimeve të detyrueshme, kompanitë që ofrojnë shërbime të rrjetit telefonik duhet të përdorin inteligjencë artificiale dhe metoda të tjera teknike për ta kontrolluar identitetin e njerëzve që regjistrojnë numra të rinj.

Ministria e Industrisë dhe Informacionit tha se masat e reja janë një mënyrë e mbrojtjes së të drejtave legjitime dhe interesave të qytetarëve në hapësirën kibernetike. Sidoqoftë, besohet se kjo metodë do të përdoret për t’i përcjellë më lehtë përdoruesit e telefonave dhe të internetit.

Përdoruesit e telefonave tashmë janë të detyruar t’i paraqesin letërnjoftimet ose pasaportat për të regjistruar numër të ri, ndërsa kompanitë e telekomit kanë filluar t’ua skanojnë fytyrat përdoruesve që nga viti i kaluar.

Zgjerimi i përdorimit të njohjes së fytyrës përmes teknologjisë në Kinë, nga shkollat e mesme deri te koncertet dhe transporti publik, ka filluar të shkaktojë shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe pëlqimin për përdorimin e tyre.

Ekspertët paralajmërojnë se Kina nuk ka legjislacion që e rregullon përdorimin e të dhënave që merren përmes teknologjisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara