Johnson dhe Juncker të hënën do të diskutojnë rreth Brexit-it

19:27 | 13 Shtator 2019

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do të takohen në Luksemburg ku do të diskutojnë rreth Brexit-it, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Britanisë së Madhe dhe Komisioni Evropian konfirmuan se takimi do të mbahet të hënën pasdite.

I dërguari i Johnson-it, David Frost, këtë javë zhvilloi bisedime në Bruksel. Bisedimet rreth Brexit-it dhanë disa shenja të avancimit, ndërsa po afrohet afati përfundimtar për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian (BE) më 31 tetor.

Johnson dëshiron që kufiri irlandez të hiqet nga marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për Brexit-in e nënshkruar nga paraardhësja e tij, Theresa May. BE-ja, nga ana tjetër, insiston në rrjedhën e qetë të mallrave midis Republikës së Irlandës, shteteve anëtare të BE-së dhe Irlandës së Veriut, kur ajo të largohet nga blloku evropian me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Parlamenti britanik miratoi një vendim sipas së cilës kryeministri duhet të kërkojë zgjatjen e afatit të largimit nga BE-ja, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në mesin e tetorit. Mirëpo, Johnson ka thënë se nuk do të bëjë një gjë të tillë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara