Japoni, rritet në 44 numri i të vdekurve nga tajfuni

14:37 | 14 Tetor 2019

Rreth 100 njerëz kanë pësuar lëndime dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur në mbarë vendin nga tajfuni më i fuqishëm që ka goditur kryeqytetin Tokio, si dhe zonat tjera të Japonisë

Numri i të vdekurve nga tajfuni Hagibis në Japoni është rritur në 44, kurse 14 ende trajtohen si të zhdukur, raportoi agjencia e lajmeve Kyodo të hënën.

Rreth 100 njerëz kanë pësuar lëndime dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur në mbarë vendin nga tajfuni më i fuqishëm që ka goditur kryeqytetin Tokio, si dhe zonat tjera të Japonisë qendrore, lindore dhe verilindore.

Diku rreth 27 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura vazhdojnë të angazhohen me operacionet e shpëtimit nga ajri dhe uji për të arritur deri të viktimat në zonat e prekura.

Një grua 77-vjeçare në Iwaki të prefekturës Fukushima, humbi jetën pasi punonjësit e shpëtimit të departamentit zjarrfikës nuk arrtën të vendosin mirë kapësen e litarit tërheqës në rripin e saj, gjë që shkaktoi rrëzimin e saj në tokë nga një lartësi prej rreth 40 metra, raportoi Kyodo.

Kryeministri Shinzo Abe deklaroi se qeveria e tij do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit e prekur dhe do të formojë një ekip ndërinstitucional për të përmirësuar vendstrehimet dhe për të ndihmuar të zhvendosurit të gjejnë vende për t’u akomoduar.

Sipas Ministrisë së Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit, 21 lumenj në Nagano, Fukushima, Ibaraki dhe tre të tjerë në prefektura të tjera janë përmbytur, duke shkaktuar zhvendosjen e mijëra njerëzve.

Shumë zona në Japoni u goditën nga reshje të rrëmbyeshme. Në Hakone, vendpushimin e njohur, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Tokios, janë regjistruar 922,5 milimetra shi të shtunën, sasia më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Japoni brenda 24 orëve./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara