Izraeli i dorëzon Palestinës 20 anijet e konfiskuara

17:17 | 3 Korrik 2019

Izraeli ka dorëzuar tek autoritetet palestineze 20 anijet e peshkimit të konfiskuara prej vitesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Zekeriya Bekr, përgjegjës i Komitetit të Peshkatarëve të lidhur me Unionin e Komiteteve të Punës Bujqësore në Gaza, ka deklaruar për AA se Izraeli anijet ia ka dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë të Palestinës nëpërmjet rrugës detare.

Duke bërë të ditur se tek anijet e ankoruara në portin e Gazës nuk ndodhen motorët dhe pajisjet e peshkimit, Bekr tha se “Në të vërtetë ato që na kanë dorëzuar janë një pjesë druri që nuk mund të përdoren pa motorë dhe pajisjet e peshkimit”.

Izraeli më parë ka njoftuar se do të dorëzonte anijet që kishte konfiskuar që nga viti 2016 e deri më tani.

Ndërsa Qendra për të drejtat e njeriut El-Mizan në Palestinë tha se do të punonte për rikthimin e anijeve të peshkimit të cilat ishin konfiskuar nga Izraeli në maj.

Ushtarët izraelitë, sipas rregullave që nuk ndodhen në asnjë marrëveshje, hapin zjarr, arrestojnë peshkatarët ose i konfiskojnë anijet e tyre me arsyetimin se kanë kryer shkelje kufitare.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të nënshkruar në vitin 1993 mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, thuhet se palestinezët kanë të drejtën të veprojnë të lirë deri në një largësi prej 20 milje nga Rripi i Gazës pa u përballur me ndonjë ndërhyrje nga Izraeli, por qeveria izraelite pengon këtë të drejtë të peshkatarëve palestinezë.

Sipas të dhënave të Sindikatës së Peshkatarëve të Palestinës, në Gaza ndodhen rreth 4.000 njerëz që sigurojnë mbijetesën nga peshkimi.

Që nga viti 2006, Izraeli ka vendosur bllokadë tokësore, detare dhe ajrore në Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara