Ish lideri i partisë UKIP shpalos Partinë Brexit

18:01 | 12 Prill 2019

Përderisa është e qartë që trazirat për Brexit-in do të zgjasin gjatë vjeshtës, ish lideri i partisë së ekstremit të djathtë Partia për Pavarësi të Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) ka shpalosur një nismë të re, Partinë Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nigel Farage gjatë shpalosjes së partisë tha se dëshiron një “revolucion demokratik” në politikën britanike dhe “detyra e parë e tij” është “ndryshimi i politikës”.

Shpalosja e partisë erdhi shkurt kohë pasi kryeministrja britanike, Theresa May, u pajtua me Bashkimin Evropian (BE) për një prolongim më të gjatë të Brexit-it, tanimë deri në fund të muajit tetor, që nënkupton se Britania do të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) që janë caktuar për më 23-26 maj.

Farage tha se Partia Brexit ka 70 kandidatë dhe se zgjedhjet për PE janë “hapi i parë”.

“Kjo parti nuk është këtu vetëm për të luftuar në zgjedhjet evropiane”, tha ai, duke shtuar se “kjo parti nuk është vetëm për të shfaqur mllefin tonë, 23 maji është hapi i parë i Partisë Brexit”, tha ai.

Farage, figura kyçe në fushatën për dalje nga BE-ja para referendumit të vitit 2016, tha se ai ishte “i inatosur, por se ky nuk është një emocion negativ, ky është emocion pozitiv”.

“Kam thënë se nëse kthehem në politikë, nuk do të ketë më ‘zotëria i mirë’ dhe me të vërtetë do jetë ashtu”, tha ai.

Në radion BBC, Farage në mëngjes tha “Sa i përket politikës, nuk ka dallim (nga UKIP). Por sa i përket personelit, ka dallim të madh”.

“UKIP u mundua mjaft që të ketë njerëz të mirë brenda vetes por fatkeqësisht ajo çfarë ka zgjedhur të bëjë është që t’i lejoj ekstremit të djathtë t’i bashkëngjitet dhe ta marrë udhëheqësinë dhe kam frikë se brendi tanimë është dëmtuar”.

Lideri i partisë UKIP, Gerard Batten, në rrjetet sociale ka demantuar pohimet e bëra nga Farage në lidhje me atë se nuk ka dallime politike mes UKIP dhe Partisë Brexit, duke i quajtur këto pohime si “gënjeshtra”.

“UKIP ka manifestin dhe politikat e saj. Partia e Farage-ut është vetëm një mjet për të”, tha Batten.

Annunziate Rees-Mogg, motra e deputetit konservativ Jacob Rees-Mogg, është në mesin e kandidatëve partiak për zgjedhjet e majit.

– UKIP

Që nga viti i kaluar, partia e dikurshme populliste UKIP u shndërrua në strehë për ekstremistët e djathtë britanik nën udhëheqjen e liderit Gerard Batten.

Partia ka bërë një hap të madh drejt shndërrimit në lëvizje raciste e ekstremit të djathtë me manifestin e saj përplot me plane anti-islamike.

I ashtuquajturi “manifest i përkohshëm” përmban plane për burgje për myslimanët, hulumtim më të avancuar për emigrantët nga vendet islame, si dhe plane për të hequr nga përdorimi ligjet kundër racizmit dhe për barazi në Britani.

Partia pretendon se ekstremizmi është “i nxitur në mënyrë aktive” nëpër burgje, ku “mbizotërojnë bandat myslimane” dhe “të burgosurit jomyslimanë po konvertohet për sigurinë e tyre”.

“UKIP do të shpalos ndarjen e të burgosurve apo burgjeve ekskluzivisht për të burgosur mysliman që promovojnë ekstremizmin apo mundohen të konvertojnë të burgosurit jomyslimanë”, thuhet në manifest.

Shndërrimi në parti të ekstremit të djathtë i UKIP u bë vitin e kaluar nën presidencën e Batten, i cili bëri aleancë me Tommy Robinson, ish liderin e partisë EDL, pasi morri udhëheqësinë nga Henry Bolton na muajin prill.

Robinson është figurë e ekstremit të djathtë i njohur në Britani për fushatën anti-islame.

Vitin e kaluar, Batten ofendoi Profetin Muhamed gjatë një mitingu të organizuar nga Djemtë e Aleancës Demokratike të Futbollit (DFLA), një lëvizje anti-myslimane e formuar nga huliganë të ekstremit të djathtë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara