Ish-kryeparlamentari britanik: Nuk do ta lejoja Trumpin të mbajë fjalim

16:25 | 6 Nëntor 2019

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Britani të Madhe, John Bercow tha se asgjë nuk ka ndryshuar në 2,5 vitet e fundit për të ndryshuar qëndrimin e tij të refuzimit të fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump para deputetëve.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) pas një ngjarjeje me gazetarët e huaj në Londër, Bercow tha: “E kam bërë të qartë qëndrimin tim për këtë çështje në shkurt të vitit 2017 dhe asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë”.

“Asgjë nuk ka ndodhur në 2,5 vitet e fundit, kuptohet për të më bërë që të ndryshoj mendje. Çdo gjë që ka ndodhur më ka forcuar mua në pikëpamjen që e kam marrë atëherë”, tha Bercow.

Në vitin 2017, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve kishte thënë se Trump nuk ishte i mirëpritur për të mbajtur fjalim në Parlamentin britanik gjatë vizitës zyrtare.

Bercow gjatë seancës parlamentare tha se marrëdhëniet me SHBA-të janë të çmuara dhe se vendimi i një vizite shtetërore nga një president është përtej autoritetit të kryetarit të Parlamentit.

“Megjithatë, sa i përket këtij vendi, unë ndjej fuqishëm se kundërshtimi ynë ndaj racizmit, seksizmit dhe mbështetja jonë për barazinë para ligjit dhe gjyqësisë së pavarur janë konsiderata të rëndësishme në Dhomën e Përfaqësuesve”, kishte thënë ai.

Bercow kishte theksuar se mbajtja e fjalimit nga një burrështetas i huaj “nuk është një e drejtë automatike, por është një nder i fituar”.

Një deklaratë në internet me të cilën i kërkohej qeverisë që të anulojë vizitën shtetërore të Trumpit fitoi më shumë se 1,8 milionë nënshkrime, mirëpo vizita shtetërore u realizua siç ishte planifikuar në qershor të vitit 2019.

Bercow gjithashtu bojkotoi një banket shtetëror të organizuar nga Mbretëresha për vizitën e presidentit të SHBA-ve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara