Irani mohon pretendimet se 50 persona kanë vdekur nga koronavirusi

08:11 | 25 Shkurt 2020

Irani sot ka mohuar pretendimet se së paku 50 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në qytetin verior Qom, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë shtypi të transmetuar nga televizioni shtetëror, zëdhënësi i qeverisë Ali Rabiei tha se pretendimet se 50 persona kanë vdekur nga Covid-19 në Qom “janë gënjeshtra” dhe “ato nuk pasqyrojnë të vërtetën”.

Kjo erdhi pasi deputeti iranian Ahmad Amiriabadi Farahani tha se së paku 50 njerëz vdiqën nga koronavirusi në Qom gjatë dy javëve të fundit, sipas agjencisë së lajmeve gjysmë zyrtare të vendit ILNA.

Farahani tha se nuk ka pajisje të mjaftueshme dhe adekuate mjekësore në rajon, me personel të kujdesit shëndetësor që merren me pacientë të infektuar pa pasur asnjë pajisje mbrojtëse nga virusi. Shumë barnatore nuk kanë as maska, shtoi ai.

Herët të hënën, televizioni shtetëror i Iranit njoftoi se numri i vdekjeve nga virusi në vend u rrit në 12 me 47 raste të konfirmuara.

Turqia të dielën mbylli përkohësisht kufirin e saj me Iranin dhe ndaloi fluturimet nga Irani për të parandaluar përhapjen e virusit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara