Irani do ta mbajë gjendjen emergjente së paku deri në janar të vitit 2021

11:24 | 10 Gusht 2020

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se gjendja emergjente, e shpallur për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të mbetet në fuqi së paku deri në janarin e vitit të ardhshëm.

“Ne kemi qenë në këtë situatë për gjashtë muaj dhe duhet ta përgatisim veten për së paku edhe gjashtë muaj të tjerë”, tha kreu i këtij shteti përmes një deklarate të publikuar në faqen e tij zyrtare në internet.

Sipas tij, vendi tash për tash nuk ka ndonjë plan për largimin e plotë të masave kufizuese të pandemisë, transmeton Gazeta Express.

“Duhet të gjejmë një rrugë të mesme mes normalitetit dhe mbajtjes së masave kundër virusit”, shtoi Rohani.

Irani i ka lehtësuar disa masa kufizuese gjatë dy muajve të kaluar, duke ndikuar që njerëzit t’u kushtojnë më pak vëmendje rregullave për mbrojtjen e shëndetit publik.

Lehtësimi i masave ka ngjallur edhe kritika për presidentin iranian për shkak të rritjes së numrit të rasteve dhe shënimit të rreth 200 viktimave në ditë.

Deri më tani, Irani ka regjistruar më shumë se 18,000 të vdekur dhe 320,000 persona të infektuar me koronavirus.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara