Irani arreston dy britanike e një australian, rriten tensionet me Perëndimin

08:29 | 11 Shtator 2019

Tre qytetarë australianë, dy prej të cilëve kanë edhe pasaporta britanike, janë arrestuar në Iran.

Njëra nga gratë, profesoreshë me shtetësi australiane dhe britanike e një universiteti në Australi, është arrestuar muaj më parë, por lajmi për të është bërë i ditur vetëm pas arrestimit të dy personave të tjerë.

Përpos saj, autoritetet iraniane e arrestuan edhe një blogere me shtetësi australiane dhe britanike dhe partnerin e saj australian përderisa ata ishin duke udhëtuar brenda territorit të Iranit.

Raportohet se dy gratë e arrestuara janë duke u mbajtur në burgun Evin të Tehranit, ku një britanike tjetër, Nazanin Zaghari-Ratcliffe, është burgosur nën akuzat për spiunazh. Vendndodhja e burrit australian nuk dihet.

Ndonëse dy prej tre personave të arrestuar kanë shtetësi të dyfishtë, qeveria australiane i ka nisur negociatat me qeverinë iraniane për kushtet e lirimit të mundshëm të tyre.

Një zëdhënës i Departamentit për Punë të Jashtme dhe Tregti ka konfirmuar se ky organ është duke ofruar asistencë këshilluese për familjet e tre australianëve të arrestuar në Iran.

Arrestimi i tyre vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Iranit dhe një koalicioni shtetesh, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania dhe Bahrejni, të cilat do të dërgojnë luftanije për ta patrulluar Ngushticën e Hormuzit, shkruan “The Guardian”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara