Haley: Hamasi, jo Izraeli fajtor për dhunën në Gazë

23:55 | 15 Maj 2018

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, të martën i doli në mbrojtje përgjigjes izraelite, duke fajësuar Hamasin për trazirat e djeshme në kufirin e Izraelit me Gazën.

“Ditët e fundit, terroristë të Hamasit, me mbështetjen e Iranit, kanë nxitur sulme ndaj forcave të sigurisë dhe infrastrukturës izraelite”, – tha zonja Haley në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të martën, për situatën e krijuar.

Amb. Haley i hodhi poshtë thëniet se dhuna e kishte burimin tek hapja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem.

“Dhuna nuk e minon perspektivën e paqes. Për disa, hapja e ambasadës ishte shkaku i dhunës. Por le të kujtojmë që organizata terroriste Hamas ka vite që nxit dhunën, shumë kohë para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin për zhvendosjen e ambasadës.”

Zonja Haley shtoi se ambasada “reflekton vullnetin e popullit amerikan dhe të drejtën tonë sovrane për të vendosur mbi vendin ku duhet ngritur ambasada jonë, një e drejtë që gjithësecili në këtë dhomë e kërkon për vendin e vet.”

Koordinatori i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, duke u folur anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nga Jeruzalemi, tha se “nuk ka justifikim” për vrasjet.

Mladenov tha: “Izraeli ka përgjegjësinë për të kontrolluar përdorimin e forcës, në se nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për vdekje, apo plagosje serioze; duhet t’i mbrojë kufijtë e vet në mënyrë proporcionale dhe të hetojë çdo incident që ka çuar në humbjen e jetëve njerëzore.”

Mladenov po ashtu i bëri thirrje Hamasit “të mos i përdori protestat si mbulesë, apo përpjekje për të vendosur bomba mbrojtëse dhe të krijojë provokime dhe duhet të mos fshihet prapa demonstruesve, duke vënë në rrezik jetën e civilëve”.

Ambasadori i Kuvajtit në OKB, Mansour al-Otaibi, tha se vendi i Gjirit Persik “do të donte të dënonte me termat më të fuqishme masakrën e kryer dje nga autoritetet zyrtare izraelite” dhe u bëri thirrje vendeve të tjera “të njohin shtetin e Palestinës dhe Jeruzalemin Lindor të pushtuar, si kryeqytetin e tij”.

Para se të mbahej takimi në Këshillin e Sigurimit për çështjen e dhunës në Gazë, vende aleate me Shtetet e Bashkuara, sikurse edhe vende jo mike, shprehën kritika ndaj vendimit të Uashingtonit për hapjen e ambasadës amerikane të hënën në Jeruzalem, duke thënë se ky veprim ka për të rritur tensionet në Lindjen e Mesme.

Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi dhunën në Gazë. Përmes një deklarate, zyra e zotit Macron tha se të martën ai ka në plan të flasë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Edhe kryeministrja britanike Theresa May nuk ishte dakord me hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, para se të arrihej një marrëveshje përfundimtare paqeje në Lindjen e Mesme.

Ministri u Jashtëm rus Sergey Lavrov përsëriti kundërshtimin e Moskës për hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem.

Një numër i madh udhëheqësish të vendeve arabe e dënuan këtë veprim: kryeministri libanez Saad Hariri e cilësoi atë një vperim “provokues”, ndërsa Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se e hëna ushte “një ditë turpi”.

Qeveria turke tha se do ta thërriste ambasadorin e vet në Shtetet e Bashkuara, “për konsultime” lidhur me veprimin e hapjes së ambasadës./VoA/

 

Shpërndaje në rrjete sociale