Gjermania kritikon planin e Netanyahut për aneksimin e territoreve të pushtuara

07:10 | 12 Shtator 2019

Gjermania kritikoi premtimin kontrovers të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar.

“I bëjmë thirrje qeverisë izraelite të përmbahet nga veprimet që mund të pengojnë zgjidhjen dyshtetërore”, tha zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, në një brifing të rregullt për media në Berlin.

Ai nënvizoi se qëndrimi i gjatë i qeverisë gjermane kundër vendbanimeve ilegale në territoret e pushtuara palestineze mbetet i pandryshuar.

Ndërkaq, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Maria Adebahr, vuri në dukje se komentet e Netanyahut u bënë gjatë një mitingu zgjedhor, duke theksuar gjithashtu se aneksi i mundshëm i pjesëve të Bregut Perëndimor do të ishte një “shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare”.

Të martën, Benjamin Netanyahu u zotua se nëse i fiton zgjedhjet e përgjithshme të parapara për 17 shtator, ai do të aneksojë pjesë të territoreve të pushtuara në Bregun Perëndimor – përfshirë veriun e Detit të Vdekur dhe Luginën e Jordanit.

Qeveria e Merkelit ka qenë mbështetëse e fortë e Izraelit, ndërsa kancelarja gjermane ka theksuar në mënyrë të përsëritur përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit, për shkak të genocidit nazist të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

E drejta ndërkombëtare e konsideron Bregun Perëndimor, së bashku me Kudsin Lindor, si “territore të pushtuara” dhe i cilëson të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje si të paligjshme./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara