Franca ia kthen Pakistanit artefaktet e vjetra

15:40 | 4 Korrik 2019

Franca ia ka rikthyer Qeverisë së Pakistanit më shumë se 400 artefakte të vjedhura, përfshirë buste të vjetra, vazo, urna dhe kupa, disa prej të cilave datojnë nga mijëvjeçari i dytë dhe i tretë para Krishtit.

Shumë nga pjesët kanë hyrë në Francë në shtator të vitit 2006, të dërguara për një galeri në Paris.

Ngarkesat ishin zbuluar nga zyrtarë të doganave në aeroportin “Charles de Gaulle” dhe ishin identifikuar nga Qendra Kombëtare për Kërkim Shkencor si sende të vjedhura nga varrezat në luginën e Indit në Pakistan, transmeton koha.net.

Një tjetër ngarkesë me copëza të qeramikës dhe terakotës e destinuar për të njëjtën galeri ishte ndaluar dy javë më vonë. Dhe gjatë kërkimit për galerinë e paemër, zyrtarët doganorë kishin kapur edhe disa qindra copëza qeramike.

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Ambasadën e Pakistanit në Paris, 445 artefakte i janë dorëzuar Pakistanit të martën, me një vlerë prej 139 mijë eurosh (157 mijë dollarë).

“Është me të vërtetë një moment i veçantë për Pakistanin”, ka thënë Muhammad Majad Aziz Qazi, kreu i misionit. “Është po aq edhe moment emocional për ne. Ne besojmë, sot, që një pjesë e trashëgimisë së Pakistanit po kthehet në vendlindjen e vet”.

Qazi ka thënë se përgatitjet janë bërë që thesaret të dërgohen sa më parë që është e mundur në Islamabad.

“Shpresojmë që së shpejti…ju do t’i keni ato në njërin prej muzeve më të mira që kemi në Pakistan”.

Derisa galeria që ishte pranuesja e pretenduar e plaçkës nuk është emëruar, zyrtarët francezë kanë thënë se ka të ngjarë që ajo të jetë goditur me një gjobë mes 100 mijë dhe 200 mijë eurosh për pranimin e mallrave të vjedhura.

Aurore Didier, një specialiste për arkeologjinë jugore të Azisë, ka thënë se Baluçistani në jug të Pakistanit ka vuajtur nga vjedhjet e shumta të artefakteve të moçme, duke e bërë edhe më të vështirë grumbullimin e të dhënave antropologjike të njerëzve që dikur kanë jetuar aty.

“Nuk kanë qenë vetëm kontrabanduesit e babëzitur që e kanë inkurajuar atë, por edhe tregu ndërkombëtar i artit”, ka thënë ajo. “Këto grabitje kanë mbizotëruar në këtë rajon të Baluçistanit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përmendur çështjen e rikthimit të veprave të vjetra të artit në rajonet prej nga vijnë.

Nëntorin e shkuar, ai ka njoftuar për planin për t’i dhënë Beninit, një koloni e dikurshme, qindra objekte të mbajtura nëpër muzetë franceze.

Një numër artefaktesh janë rikthyer këtë vit në Peru dhe gjatë viteve 2014-2017 më shumë se 250 copëza të antikuarëve egjiptiane janë rikthyer në Kajro pasi ato ishin zbuluar në bagazhin e një rezidenti britanik, që po udhëtonte në Londër/Reuters.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara