Fillon riatdhesimi i xhihadistëve të huaj në Turqi

17:45 | 11 Nëntor 2019

Turqia filloi sot riatdhesimin e anëtarëve të huaj të grupit të Shtetit Islamik duke njoftuar kthimin e një xhihadisti amerikan dhe në ditët në vijim të 24 xhihadistëve të tjerë, 11 prej të cilëve francezë dhe 10 gjermanë.

“Turqia ka kthyer sot një terrorist të huaj amerikan, ndërsa brenda javës do të deportojë edhe disa terroristë të tjerë në Gjermani”, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm turk, Ismail Çatakli.

Çatakli tha se deportimi i terroristëve të huaj vjen pas paralajmërimit nga ana e ministrit të Brendshëm Suleyman Soylu për një hap të tillë.

“Sot Drejtoria e Përgjithshme për Menaxhimin e Migrimit realizoi deportimin e një luftëtari të huaj terrorist amerikan, procedurat e të cilit u kryen në Qendrën e Deportimit në Turqi”, theksoi Çatakli.

“Gjatë ditës së sotme do të deportohen edhe dy luftëtarë të huaj të tjerë, njëri shtetas gjerman dhe tjetri i Danimarkës”, njoftoi Çatakli.

“Po ashtu, shtatë luftëtarë të huaj, shtetas gjermanë, të cilët gjenden në qendrat e deportimit, do të deportohen më 14 nëntor, pasi atyre u është caktuar programi i udhëtimit”, shtoi zëvendësministri turk.

“Përpjekjet po vazhdojnë edhe për rikthimin e 15 xhihadistëve të tjerë, 11 francezë, dy gjermanë dhe dy irlandezë”, sipas të njëjtit burim.

Fillimi i dëbimit të xhihadistëve të huaj duke nisur nga sot ishte njoftuar të premten nga ministri turk i Brendshëm, Suleyman Soylu./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara